Qeveria e Serbisë ka nisur të ndajë nda 20 mijë dinarë, apo rreth 170 euro, për 5 mijë serbë të papunë në Kosovë.
Kështu ka deklaruar avokati Arber Jashari, i cili tha se ndonëse ky veprim nga Serbia po bëhet në emër të mbështetjes financiare, kjo vjen në kohën kur në Kosovë po zhvillohet fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare.
Madje sipas tij, kjo i shkon në favor të partisë së serbëve të Kosovës, Listës Serbe.
“Ky veprim i shtetit fqinj vjen në kohën kur në Republikën e Kosovës është duke u zhvilluar fushata zgjedhore për zgjedhjet parlamentare, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025, dhe në të cilën po marrin pjesë disa subjekte politike nga radhët e komunitetit serb”.
“Kjo qasje e Republikës së Serbisë duket të jetë një tendencë për të ndikuar tek votuesit serbë të Kosovës, në favor të subjektit politik ‘Lista Serpska’, e cila gëzon përkrahje të hapur nga Qeveria e Beogradit, por që popullariteti saj tek pjesëtarët e komunitetit më të madh pakicë në vend, kohëve të fundit ka pësuar rënie”, tha Jashari, transmeton Klankosova.tv.
Më tej, ai tha se një përpjekje e tillë e dëmton rëndë procesin zgjedhor në Kosovë, si një instrument shumë të rëndësishëm demokratik.
“Demokracia është e plotë vetëm kur edhe komunitetet pakicë, e kanë mundësinë që lirisht, të pandikuar dhe të pamanipuluar, vullnetin e tyre politik ta materializojnë me votë, për subjektet dhe kandidatët që ata i simpatizojnë”, tha Jashari.