Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar ka arrestuar pesë persona të dyshuar për krime të luftës.
Sipas njoftimit të PSRK-së, arrestimi i të dyshuarve është bërë i mundur pas hetimeve disa mujore me Policinë e Kosovës-Drejtorinë e Krimeve të Luftës, si dhe në koordinim me institucionet e sigurisë e gjykatën kompetente.
Të arrestuarit dyshohen për veprën penale “Krime Lufte”, nga neni 142 lidhur me nenin 22 të LP të RSFJ-së.
“Janë ndaluar personat me inicialet: D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh., me dyshimin e arsyeshëm se të njëjtit, në bashkëkryerje edhe me pjesëtar tjerë të paidentifikuar të këtij grupi, të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe, më 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar, ku me qëllim dhe dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuar popullatën civile shqiptare, shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare, veprime këto të sanksionuara sipas ligjeve vendore, zakoneve të luftës dhe Konventave Ndërkombëtare të Gjenevës dhe Protokolleve Shtesë. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, për personat e lartcekur do t’i ndërmerre veprime e mëtejme procedurale ligjore, derisa ndaj kësaj çështjeje penale do të vazhdojë me zhvillimin e hetimeve”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.