Marko Roshiq, një nga katër të dënuarit për vrasjen e politikanit serb të veriut Oliver Ivanoviq, është arratisur nga drejtësia.
I shpallur fajtor dhe i dënuar nga shkalla e parë e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Roshiq ishte liruar nga paraburgimi dhe po mbrohej në liri.
Megjithatë, pas shpalljes së aktgjykimit dënues ndaj tij dhe tre të tjerëve të premten e 28 qershorit, Roshiq është arratisur nga drejtësia, ka mësuar Paparaci nga burime brenda organeve të drejtësisë.
Ai nuk është gjetur në shtëpinë e tij në Mitrovicën e Veriut nga zyrtarët policorë të Kosovës, raporton Paparaci.
Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli më 28 qershor aktgjykimin për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, duke i dënuar me burgim katër persona, ndërsa e liroi një tjetër.
Nedelko Spasojeviq, Marko Roshiq, Dragisha Markoviq dhe Zharko Jovanoviq u dënuan në total me 22 vjet e gjashtë muaj burgim, ndërsa Sillvana Arsoviq u lirua nga akuzat.
Marko Roshiq, u dënua me dhjetë vjet burg për veprën penale të pjesëmarrjes në një grup të organizuar kriminal që organizoi një vrasje dhe me gjobë në vlerë 10.000 euro.