Presidenti i sapozgjedhur Donald Trump të mërkurën emëroi Matthew Whitaker, i cili shërbeu për pak kohë si ushtrues detyre i Prokurorit të Përgjithshëm në mandatin e parë të Trumpit, si ambasador i tij në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut.

“Matt është një luftëtar i fortë dhe një patriot besnik, i cili do të sigurojë që interesat e Shteteve të Bashkuara të avancohen dhe mbrohen”, tha Trumpi në një deklaratë. “Matt do të forcojë marrëdhëniet me aleatët tanë të NATO-s dhe do të qëndrojë i palëkundur përballë kërcënimeve ndaj Paqes dhe Stabilitetit – ai do ta vendosë AMERIKËN TË PARËN”, shkroi Trumpi, raporton Klankosova.tv.

Whitaker, 55 vjeç, nuk ka përvojë në punët e jashtme apo ushtarake, por ai punoi në Departamentin e Drejtësisë gjatë mandatit të parë të Trumpit në detyrë, fillimisht si shef i stafit të Prokurorit të Përgjithshëm Jeff Sessions dhe më pas shkurtimisht si ushtrues detyre i Prokurorit të Përgjithshëm pasi Sessions u hoq nga ajo detyrë në vitin 2018.

Ai gjithashtu shërbeu si prokuror i ShBA-së për Distriktin Jugor të Iowas gjatë administratës së George W. Bush. Whitaker ka rrënjë të thella në Iowa; ai u rrit atje dhe luajti futboll në Universitetin e Iowas.

Lidhja e tij me Kosovën

Ish-kreu i Drejtësisë së Donald Trumpit, Matthew Whitaker pati marrë pjesë në tubimin elektoral të PDK-së në Gjilan më 2019.

Për liderin e atëhershëm të PDK-së, Kadri Veseli, Whitaker tha se “është i duhuri për ta luftuar korrupsionin”, dhe se raportet mes Kosovës e ShBA-së janë të një rëndësie të veçantë.

“Kam ardhur të flas për rëndësinë e raporteve mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Këto zgjedhje në Kosovë kanë të bëjnë me luftën kundër korrupsionit, dhe Kadri Veseli është i duhuri që e lufton korrupsionin. Ai është kandidati më i fortë kundër korrupsionit sepse ka angazhim të dëshmuar. Ai tashmë ka vepruar duke pastruar oborrin e shtëpisë së tij”.

”Më duket se zgjidhja për popullin e Kosovës është mjaft e qartë  dhe ju keni një vendim shumë të rëndësishëm për të marrë”, ishte shprehur Whitaker më 2019.

Ai po ashtu shprehej se Kosovën duhet ta njohë Serbia, por edhe BE-ja.