Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit M.I., i nacionalitetit shqiptar, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.
Tëvë1 mëson se i dyshuari është Muharrem Ibraj.
Në njoftimin për media është bërë e ditur se hetimet kanë vërtetuar se i pandehuri, gjatë periudhës 1998-1999 në fshatin Osek Hylë të Komunës së Gjakovës, duke vepruar në bashkëkryerje me pjesëtarë të forcave policore serbe, ka kryer vrasje, dhunime, arrestime dhe keqtrajtime ndaj popullsisë civile shqiptare që nuk ishin të përfshirë në luftë.
Ndërkohë, Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, pasi që Muharrem Ibraj ndodhet në arrati.
“Prokuroria ka propozuar mbajtjen e gjykimit në mungesë, konform dispozitave të KPPK-së, për shkak se i pandehuri gjendet në arrati.Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar në ndjekjen dhe sjelljen para drejtësisë të të gjithë personave përgjegjës për krimet e luftës në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Muharrem Ibraj ka qenë edhe dëshmitar mbrojtës ndaj Slobodan Millosheviqit në Tribunalin e Hagës./teve1.info/
