Tre persona vdiqën mbrëmë në një aksident ndërmjet një veture civile dhe një veture të Policisë së Kosovës.
Inspektorati Policor i Kosovës tha se dyshohet se aksidenti ka ndodhur “si rezultat i mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës” nga ana e drejtuesit të automjetit të policisë, i cili, siç thotë IPK, “ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile”.
“Hetuesit e IPK-së mbrëmë rreth orës 19:00 janë njoftuar nga Policia e Kosovës për një aksident trafiku ku ishte përfshirë një automjet zyrtar i policisë dhe një veturë civile. Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes duke ju bashkëngjitur edhe ekipeve tjera policore dhe prokurorisë në këqyrjen e vendit të ngjarjes. Aksidenti raportohet të ketë ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë – Pejë në fshatin Çubrel në ora 18:40. Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Tre persona vdiqën si pasojë e këtij aksidenti, ndërsa lëndime të rënda trupore kanë pësuar një tjetër si dhe katër policë.
“Si pasojë e aksidentit tre persona (të cilët kanë qenë në veturën civile) një mashkull dhe dy femra fatkeqësisht kanë ndërruar jetë. Trupat e pajetë të tre viktimave janë dërguar janë dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Lëndime të rënda trupore kanë pësuar katër zyrtarë policorë dhe një qytetar nga vetura civile të cilët janë dërguar në QKUK për tretman mjekësor”, thuhet në njoftimin e IPK-së.
Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK njofton se “ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent”.