Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas postimit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me lajmet e publikuara në portale të ndryshme, të cilat kanë pretenduar se ajo ka qenë në dijeni për një mosmarrëveshje ndërmjet familjes së dorasit të rastit të mbrëmshëm dhe viktimës, S. Sadriu, i cili është axha i bashkëshortit të saj.
AGK e konsideron si një precedent të rrezikshëm e të papranueshëm thirrjen eksplicite të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për hetime ndaj medieve që thotë se janë të përfshira në ‘propagandën’ ndaj saj.
“Një një postim publik sot, Presidentja në së paku dy raste u bën thirrje, si organeve të sigurisë edhe atyre të drejtësisë, që të hetojnë median në fjalë, pas publikimit të një lajmi rreth vrasjes së një personi mbrëmë në Ferizaj. Për më tepër, akuza e përsëritur se mediat punojnë për Serbinë, është e papranueshme, dhe më e rrezikshme kur vjen nga kreu i shtetit” – ka shkruar AGK në Facebook më 17.08.2024.
Si përfundim, AGK e ka ftuar presidenten Osmani që për pakënaqësitë në lidhje me raportimin e mediave t’i drejtohet me ankesë Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës (KMSHK).
“AGK-ja, e fton Presidenten Osmani që për pakënaqësitë eventuale me raportimin t’i drejtohet me ankesë Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – Press Council of Kosovo. Është punë e medieve që, duke respektuar Kodin e Etikës, sidomos për ngjarje tragjike, të bëjnë punën e tyre duke ofruar fakte e dëshmi për rrethanat e ngjarjes” – ka theksuar AGK.
S. Sadriu është personi që u vra mbrëmë, më 16.08.2024, në oborrin e një salle dasmash në Bibaj të Ferizajt.
Autori i dyshuar i këtij akti është F. Ramadani, pjesëtar i Policisë së Kosovës.