Zv/drejtori i Përgjithshëm i RTK-së, që aktualisht e ushtron edhe detyrën e Drejtorit, është i vetmi njeri që ligjërisht, mund të kërkojë masa ndaj Rilind Gërvallës dhe të gjithë atyre që patën ndikim në raportimin e lajmit të rrejshëm të Slobodna Bosnës.

Pavarësisht se Komisioni profesional i krijuar nga RTK-ja gjeti se pati shkelje të standardeve profesionale, Adi Krasta nuk ka kërkuar masa ndaj askujt.

Kjo dëshmohet edhe nëpërmjet një letre që gazeta Nacionale e ka siguruar, e të cilën Krasta ia kishte përcjellur Bordit të RTK-së bashkë me raportimin e Komisionit.

“Të nderuar zonja dhe zotërinj të Bordit të RTK-së. Në mungesë të drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, në pozicionin e zëvendës drejtorit të përgjithshëm të RTK po ju dërgoj dorazi materialin hard copy i cili është protokolluar pranë administratës së RTK, teksti dhe gjetjet e Komisionit të Vlerësimit Profesional të ngritur prej ish-drejtoreshës së përgjithshme zonjës Zana Spahiu e në të cilin bëjnë pjesë: Mendu Hysa kryetar, Pajazit Krasniqi anëtar, Gjylie Rexha anëtar”, thuhet në këtë letër që Adi Krasta e ka dërguar në Bord.

Krasta në letër, merret me krejt çështje teknike, dhe nuk kërkon asnjë masë ndaj askujt. Duke mos dërguar rekomandim, Krasta indirekt ia vazhdon qëndrimin në postin e drejtorit të TV-së, Rilind Gërvalla. Ky i fundit, bazuar në procesverbalin e siguruar nga Nacionale, e merr gjithë përgjegjësinë për lajmin skandaloz kundër Nacionales e Periskopit.

“Materiali i dërguar tek ju është origjinal dhe njëra nga të dy kopjet e njëjta që ka printuar komisioni, dhe që është firmosur zyrtarisht prej anëtarëve të tij”, thuhet në këtë letër të siguruar ekskluzivisht nga Nacionale.

Duke qenë se ushtron detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm, Krasta ligjërisht do të mund të kërkonte shkarkimin e Rilind Gërvallës. Megjithatë, një gjë e tillë nuk ndodhi. Kështu bëri të ditur edhe Besnik Boletini në letrën e dorëheqjes nga Bordi i RTK-së.

“Gjetjet e raportit të komisionit ishin të qarta. Që nga data 9 gusht, zëvendësdrejtori Adi Krasta (që i ka përgjegjësitë e drejtorit) nuk po e adreson këtë raport. Të jesh në krye të transmetuesit publik edhe për një ditë është privilegj, por edhe përgjegjësi. E siç po shihet ai nuk ka vullnet për të marrë masa ndaj atyre që e shkaktuan skandalin”, shkruante Boletini.

Vetëm pak minuta më pas, Krastës iu publikua edhe një fotografi me komisaren e VV-së, Dejona Mihali. Fotografia ishte shkrepur në një pomë të benzinës rrugës për në Shqipëri.

Nacionale kishte mësuar se Mihali e Krasta ishin me një veturë duke udhëtuar së bashku, që dëshmon për afërsinë e të dyve. Madje, disa burime i kanë thënë Nacionales, se takimet Krasta-Mihali janë të rregullta.

Për ndikimin e Dejona Mihalit në RTK kishte folur edhe drejtori i dorëhequr, Shkumbin Ahmetxhekaj.

“Nga ajo se çfarë kam kuptuar pastaj është se këtu kemi përfshirjen e një zonje, e cila nuk është pjesë e strukturave shtetërore, por e cila çuditërisht është marrë me Shkumbinin. Asnjëherë nuk më ka kontaktuar direkt, asnjëherë nuk më ka shkruar direkt, por ajo çka kam kuptuar edhe prej anëtareve të bordit edhe prej të tjerëve është se kjo zonja në fjalë, e cila nuk është një mit, por është e vërtetë që në Kosovë sundon – pra vendos – thjesht ka vendos për ndryshimin që duhet të ndodh në RTK”, tha Ahmetxhekaj në Klan Kosova.

“Është një zonjë e cila drejton një nga strukturat e partisë Vetëvendosje”, potencoi ai dhe pasi u pyet nëse kjo “zonja”, siç ai i referohej është Dejona Mihali, Ahmetxhekaj e konfirmoi me “po”.

“Ajo që di është se me të tjerët ka bisedu dhe ka kërku largimin e Shkumbinit, thjesht për një ndryshim tjetër”, potencoi.

“Po, e ka kërkuar”, tregoi ai pasi që u pyet nëse Mihali ka kërkuar largimin e tij.

“Këtë ma kanë konfirmuar anëtarët e Bordit. Është në vullnetin e tyre nëse do ta thonë. Të paktën 4 prej tyre ma kanë thënë”.

Duke parë afërsinë Krasta-Mihali, dhe faktin se Rilind Gërvalla ka qenë anëtar me librezë në VV, atëherë plotësohet edhe trekëndëshi.