Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka nisur zyrtarisht fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit me një tubim madhështor në Kryeqytet. Në prani të mijëra simpatizantëve dhe mbështetësve, kryetari i partisë dhe kandidati për kryeministër, Lumir Abdixhiku, thirri për “ngritje të shpresës.”

“Fitorja e madhe tashmë ka nisur! Prandaj, ju them të bëheni gati! Ngriteni zërin, të përvilni mangët, ngrini shpresën për të nesërmen dhe rrugën plot dritë përpara! Ju erdhët. Ju dëgjuat. Shpërndajeni tani këtë lajm në çdo anë të Kosovës. Në çdo rrugë e rrugicë, në çdo lagje në çdo shtëpi, në çdo anë të Republikës.” – tha kreu i LDK-së.

Ai bëri thirrje për unitet dhe përkushtim ndaj së ardhmes, duke theksuar se LDK-ja është gati të marrë përgjegjësitë e qeverisjes dhe t’i prijë vendit drejt zhvillimit.

“Aty ku gjeni sharje, urrejtje e ankim për të shkuarën, jepni vullnet, shpresë e vizion për të ardhmen. Ankesat e frustrimin ua lëmë të frustruarve, punën e të ardhmen e bartim ne. Aty ku gjeni ndarje, urrejtje e përçarje, jepuni dorën e zgjatur për përbashkim! Jepuni dy gishta të ngritur lart me plot krenari!” – deklaroi Abdixhiku.