Më shumë se 60 fletëvotime nga votimime postë Lëvizja Vetëvendosje i ka dorëzuar si pjesë të ankesës në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa si dëshmi se ato janë llogaritur gabimisht si të pavlefshme.

Por, duke u përpjekur të dëshmojë se këto fletëvotime janë të vlefshme, Vetëvendosje ka ngritur dyshime të mëdha nëse këto fletëvotime janë pjesë e votimit të manipuluar nga diaspora.

Duket e çuditshme, por të gjitha fletëvotimet që janë pjesë e ankesës së partisë së Kurtit, e cila kërkon nga PZAP-i të llogariten të vlefshme, kanë të njëjtin gabim teknik pasi që ato janë shtypur në një format të tillë që u mungon subjekti i fundit politik i certifikuar nga KQZ me numrin rendor 138.

Demokracia.com ka siguruar ekskluzivisht të dy ankesat e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje të dorëzuar në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa gjatë ditës së premte, 7 mars, të cilat kanë për qëllim të vonojnë shpalljen e rezultateve përfundimtare.