Ka qenë e vështirë për qytetarë nga diaspora që iu përgjigjen thirrjes së Lëvizjes Vetëvendosje për ta takuar kryeministrin Albin Kurti, që të marrin një fotografi si kujtim nga ky takim.

Takimi i Vetëvendosjes me bashkatdhetarët dhe aktivistët e partisë së saj, u zhvillua të hënën e 5 gushtit në parkun e Taukbahçes, vetëm pak metra larg restaurantit “Bukë e Zemër”, që e bëri të njohur pikërisht partia në pushtet me skandalin e rezervave shtetërore.

Për bashkatdhetarët ka qenë e pamundur të bëjnë një foto vetëm me Kurtin, pasi në çdo pamje të shpërndarë nga Lëvizja Vetëvendosje, afër tij kanë qëndruar truprojet e tij.

Duket e pabesueshme sjellja e kryeministrit Kurti me bashkatdhetarët, të cilët në këtë takim i kishte ftuar pikërisht partia e tij, Lëvizja Vetëvendosje.


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë kohës sa ishte opozitar, ka qenë kritik i madh i protokollit të sigurisë që ndiqnin institucionet e sigurisë për liderët shtetërorë.

Lideri i Vetëvendosjes e konsideronte këtë më shumë si një frikë të politikanëve nga populli.

“Ju e keni pa sesi politikanët kur zbresin te qytetarët, zbresin me xhipa të blinduar e xhama të errësuar, ku ai të sheh ty, e ti nuk e sheh atë, dhe nëse del prej xhipi të kqyrë mrrolshëm truproja i tij, se truproja e tij e din edhe ma mirë se na, se qytetarët kanë shumë arsye m’i ba diçka atij politikani që ky po ia ruan veç trupin se nashta krejt çka ka me i rujtë është trupi se mendja i ka ikë moti”, thoshte Kurti në njërën nga fjalimet e tij.