Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po mbahet seanca ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt. Të akuzuar për vrasjen e 30-vjeçares janë Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tomë Dedaj.

Seanca po shoqërohet edhe me disa tensione ndërmjet kryetares së trupit gjykues, Fatime Dermaku dhe avokatëve të të akuzuarve, transmeton Telegrafi.

Gjyqtarja Fatime Dermarku i shqiptoi sërish vërejtje Ndrecë Dodajt – avokatit të të akuzuarit Kushtrim Kokalla, për pengim të procesit.

“Nuk ka asnjë kërkesë, Kushtrim a i ke kuptuar të drejtat tua?”, tha gjyqtarja derisa deklaroi se avokati ka pasur kohë të mjaftueshme për konsultim me mbrojtësin e tij.

Gjyqtarja deklaroi se avokati edhe më herët ka pasur vërejtje në mënyrë gojore që të mos pengojë punën e gjykatës dhe të bindet ndaj urdhrave të trupit gjykues.

Avokati i Kokallës kërkoi që t’i mundësohet një konsultim me klientin e tij, pasi siç tha ai, i akuzuari nuk i ka kuptuar të drejtat e tij ligjore.