Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur të mbahet seanca fillestare për vrasjen e Liridona Ademajt.

Nën forca të shumta policore, në gjykatore janë sjellë Naim Murseli, Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe Tomë Dodaj, të cilët ngarkohen për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.

Para Gjykatës janë hapur video-incizimet,  të cilat janë dërguar si provë tek avokatët pasi mbrojtësi i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Dodaj, pretendoi se nuk i hapeshin.

Kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, tha se për këtë kishte marrë një shkresë nga Dodaj dhe tha se pas pretendimit të tij i ka provuar CD-të dhe se ato janë hapur.

 në nisje të seancës deklaroi se ka marrë një shkresë nga avokati i Kushtrim Kokallës, Ndrecë Dodaj.

“Kam marrë një shkresë nga mbrojtësi Ndrecë Dodaj, që mbron Kushtrim Kokallën, i cili ka thënë që CD-të që i janë dorëzuar nuk hapen. Me një fjali thotë se ‘nuk mund të deklarohemi’. Prandaj, për këtë si kryetare e trupit gjykues, e kam njoftuar prokuroren e shtetit, lidhur me këtë shqetësim. Sot në mëngjes i kam provuar ato CD-të, të njëjtat që na janë dorëzuar edhe neve në gjykatë, ato hapen, për më tepër janë pjesë e enternal diskut, që i janë dorëzuar mbrojtjes”.

Seanca e parë për rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 27 janar 2025 kishte dështuar të mbahet për shkak se mbrojtja e të akuzuarve nuk ishte pajisur me të gjitha shkresat e lëndës.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës, thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje.

Në aktakuzë thuhet se fillimisht plani i ishte shpalosur Kokallës nga Murseli, por ai kishte refuzuar të gjente një mundësi për vrasjen e Liridonës, e më pas Kokalla kishte gjetur Plavën, me të cilin e kishte njoftuar Naimin. E vetë Naim Murseli, thuhet se siguroi armën me 20 fishekë, nga i akuzuari Tom Dodaj, nga i cili e bleu për 280 euro. Me këtë armë, u krye vrasja e tani të ndjerës.