Andi Pajaziti i akuzuar për vrasjen e Kastriot Ramadanit në “Bon Vivant”, është liruar nga akuza për “vrasje të kryer në gjendje të tronditjes së fortë mendore”, të Kastriot Ramadanit.
Gjyqtari Eroll Gashi, ka konstatuar se ai ka bërë mbrojtje të nevojshme.
Pajaziti është dënuar me 2 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.
“Lirohet nga ky dispozitiv i aktakuzës sepse ka rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale, përkatësisht veprimet e të pandehurit janë në kuadër të mbrojtjes së nevojshme. Në bazë të nenit 364 të Kodit është fajtor si në dispozitivin e dytë sepse më datën e njëjtë si në dispozitivin e parë i pandehuri Andi Pajaziti ka mbajtur në pronësi në shkelje me ligjit të zbatueshëm për armën e tipit ‘Smith’ të kalibrit 9 milimetërsh e me këtë ka kryer veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar të armëve”, ka theksuar Gashi.
Gjykata gjithashtu ka vendosur që atij t’i ndërpritet masa e paraburgimit.
Pajaziti në seancën gjyqësore të mbajtur në korrik të vitit të kaluar ishte deklaruar i pafajshëm për vrasjen e cila ka ndodhur më 4 gusht të vitit 2023. Ai kishte thënë se veprën e ka kryer në vetëmbrojtje. Ndërsa, për armëmbajtje pa leje, ishte deklaruar fajtor.
Prokuroria Themelore në Prishtinë më 21 qershor 2024 ka ngritur aktakuzë ndaj Andi Pajazitit.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 5 gusht 2023 pati njoftuar se të gjithë të dyshuarit për përfshirje në rastin “Bon Vivant”, kanë të kaluar kriminale.
Lidhur me rastin e 4 gushtit, Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës kishte njoftuar se 17 persona ishin lënduar, kurse njëri prej tyre vdiq si pasojë e plagëve të marra. Rasti thuhej se ndodhi si pasojë e një mosmarrëveshjeje mes të pandehurve.