Kandidati i PDK-së për kryeministër dhe kryetari aktual i Mitrovicës, Bedri Hamza, tha se duke u bazuar në gjendjen dhe nevojat, shëndetësia ka qenë një prej prioriteteve në udhëheqjen e tij në nivel lokal dhe se po këtë prioritet do ta ketë edhe në nivel vendi.

“Nëse e krahasojmë fundin e vitit 2023 me vitin 2021 kemi një rritje prej 180% të buxhetit për furnizim me barna dhe material shëndetësor”.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe kanë punësuar 20 mjekë dhe staf mbështetës profesional e që tha se janë gjithsej 89.

“Ne do të vazhdojmë me punësimin e të gjithë mjekëve të cilët arrijnë që ta përfundojnë fakultetin dhe normalisht të kthehen dhe t’i shërbejnë qytetarët e Mitrovicës.

Përpos kësaj, Hamza tha se kanë arritur që të bëjnë edhe investime kapitale që “asnjëherë nuk kanë ndodhur në të kaluarën në Mitrovicë”.

Ai tha se këto investime janë bërë në Mitrovicë dhe se do të bëhen edhe në nivel vendi.

“Shëndetësinë primare e kemi transformuar tërësisht në fshatrat dhe qytetin e Mitrovicës. Këtë do ta bëjmë edhe në nivel vendi, që të gjithë qytetarët tanë, fëmijët, nënat e baballarët, t’i marrin shërbimet në kohën e duhur, pa burokraci, me cilësi të lartë e kujdes të shtuar”.