Freestyle-it propagindistik të Albin Kurtit që bëri dje në Drenas – duke paraqitur tablo të zezë ekonomie vetanake për këtë komunë dhe numëruar “punët” qeveritare atje, i ka reaguar kryetari i kësaj komune, Ramiz Lladrovci.
Lladrovci numëroi një nga një përdredhimet që Kurti bëri në favor të vetes gjatë tubimit zgjedhor – ku shkoi aq larg sa të thotë që çdo e dhjeta euro e buxhetit të Drenasit është nga “paratë e qeverisë” thuajse qeveria ka para të veta.
“Izolimi i shtëpive dhe dy ndërtesave, është bërë me fondet nga dy burime, pra, izolimi i shtëpive nuk është meritë ekskluzive e kësaj qeverie. Fondet janë nga Komisioni evropian, Fondi IPA-II dhe IPA—III i Bashkim Evropian, ku këto fonde janë alokuar në Fondin e Kosovës për Eficiencën e Energjisë (FKEE), ndërsa projektet “Renovimi me masa Eficiente për 8 shkolla dhe një AMF, është bërë me fondet e FKEE, mjete të cilat janë ndarë nga projekti i Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian (90% e fondeve), e përkrahur nga Qeveria (10% e fondeve)”, tha Lladrovci.
Postimi i plotë:
Mashtrimet e një fushate politike për pak minuta nxjerrin në shesh mashtrimet e një mandati
Është për respekt që në bastionin e UÇK-së, nga partia në pushtet, nga folësit në tubim, janë lakuar me krenari emrat e heronjve nga komuna e Drenasit. Mirë që theksohet detyra atdhetare e kryer me nder nga qindra e mijëra dëshmorë e heronj, për shumë masakra të regjimit serb dhe sakrificën e qytetarëve të komunës së Drenasit për liri, por, nuk është mirë pas këtyre fakteve të lëshohen gënjeshtrat e fushatës së lodhtë zgjedhore.
Fushata e lodhtë zgjedhore nga partia në pushtet, është atëherë, kur për një mandat katërvjeçar, nuk ke vepra me se të krenoheni, aq më pak për punën në Drenas. Lëre historinë, për të jemi ne dëshmitarë, qytetarët e komunës së Drenasit që dëshmuan çmimin e lartë të lirisë dhe çlirimit. Historinë e njohim dhe detyrat e saj i kemi kryer me nder në mënyrë shembullore.
Drenasi, po, është bastion i UÇK-së, vend i heronjve, dëshmorëve dhe martirëve të kombit, por, ku janë investimet kapitale për Drenasin. Kryeministri në tubimin zgjedhor në Drenas, bëri shumë gabime në shifra, në projekte dhe zhvillime të lidhura me komunën e Drenasit.
Disa nga lëshimet: Barazia e drejtësia në fondet e Qeverisë, nuk e prekën komunën e Drenasit, krahasuar me komunat ku qeveris partia e Kryeministrit.
Izolimi i shtëpive dhe dy ndërtesave, është bërë me fondet nga dy burime, pra, izolimi i shtëpive nuk është meritë ekskluzive e kësaj qeverie. Fondet janë nga Komisioni evropian, Fondi IPA-II dhe IPA—III i Bashkim Evropian, ku këto fonde janë alokuar në Fondin e Kosovës për Eficiencën e Energjisë (FKEE), ndërsa projektet “Renovimi me masa Eficiente për 8 shkolla dhe një AMF, është bërë me fondet e FKEE, mjete të cilat janë ndarë nga projekti i Bankës Botërore dhe Bashkimit Evropian (90% e fondeve), e përkrahur nga Qeveria (10% e fondeve).
Çerdhet publike në Drenas – nuk është ndërtuar asnjë nga kjo Qeveri. As katër e as pesë. Dy anekse të shkollave, janë rinovuar për të qenë çerdhe në funksion të më të dashurve tanë, e treta çerdhe ka filluar me fondet e BE-së në Drenas më 2020, ndërsa çerdhja në Komoran pritet të vazhdojnë punimet, e filluar më 2020. Dy çerdhet tjera, presin ende procedura. Në Drenas, asnjë çerdhe e re nuk është finalizuar për 5 vjet.
Ujëmbledhësi i Vërbocit, zonë e shpallur si interes publik, është me projekt dhe studim fizibiliteti, është projekt i Komunës së Drenasit, nga viti 2018, por, për pesë vitet e fundit, nuk është bërë asnjë hap për zbatim të projektit, madje as vlerësimi i pronës për të vijuar me procedurat tjera.
QKMF-ja është projekt nga viti 2019, për pesë vjet u vunë gurthemelet por, asnjë hap tutje, ashtu sikur për Qendrën e Biznesit “Drenasi II”.
Rruga Drenas-Komoran (Gllobar-Komoran), për pesë vjet mbeti pa asnjë metër të shtruar sipas projektit.
Tashmë, vijon mashtrimi edhe për tri vjet tjera për 9.200 metra rrugë e shpronësuar, perspektivë se jo mahi.
Granti qeveritar, është buxhet i shtetit në të cilin merr pjesë secili qytetar i Kosovës dhe fare nuk ka të bëj me emra të përveçëm. Shpërndarja e grantit bëhet sipas formulës dhe aty nuk ka dorë as kryeministri, as qeveria, deri sa nuk ndryshon me ligj formula për të gjitha komunat. Dihet pse është rritur granti, për secilën komunë, këtu komuna e Drenasit nuk bën përjashtim. Adresimi i shifrave me tendencë për ta zvogëluar meritën e qeverisjes së shkëlqyer në Drenas, nuk kalon.
Kundrejt Ligjit të ndarjeve buxhetore, për vitin 2024, Komuna Drenas në vitin 2024 ka tejkaluar buxhetin e të hyrave vetanake në shumën 1,067,023.99 euro, duke e rritur buxhetin në 2,621,984.40 euro. Pjesëmarrja e të hyrave vetanake në buxhetin e përgjithshëm shkon ne 12.53%, mesatare më e lartë se në tri komunat ku qeveris Vetëvendosja. Të hyrat vetanake janë rreth katër herë më të larta se sa tha Kryeministri.
Në fushata po harrohet fakti se Komuna e Drenasit nga shtatë vitet prej se ekziston gara për performancën komunale, Komuna e Drenasit gjashtë herë është shpallur e para, një herë e treta.
Për fund: Përshëndetje nga komuna e Drenasit, zemra e Kosovës
Qytetarët e komunës së Drenasit, për 25 vjet ia kanë dhënë besimin Partisë Demokratike të Kosovës. Komuna e Drenasit është zemra e Kosovës, është bastion i PDK-së, ashtu do të mbetet. Qytetarët e komunës së Drenasit nuk mashtrohen nga fjalët. Për një mandat, nuk është kryer asnjë projekt kapital. Qytetarët e komunës së Drenasit janë dëshmitar të dështimit të plotë të një mandati lidhur me projektet kapitale.
Më 9 shkurt, ne shkojmë ballëhapur te kutitë e votimit, me besim të plotë si asnjë herë më parë, për Kosovën ma mirë, Bedri Hamza kryeministër. Si asnjë herë më parë, fitorja e PDK-së, do të jetë shembullore!