Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës nuk ka pranuar të flasë aktualisht mbi takimet e zhvilluara ose jo, të kryediplomates, Donika Gërvalla – Schëarz në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Bile, ajo disa raportime i quajti të pavërteta, teksa kjo vizitë e saj po komentohet nga njohësit e politikës.

Ministria e Jashtme ka konfirmuar raportimet se ajo ishte në Shtetet e Bashkuara, por tashmë është kthyer në Kosovë, por nuk dhanë detaje për takimet që zhvilloi Gërvalla atje.

MPJD tha se rreth takimeve të zhvilluara atje nuk mund të flasin tani.

”Në lidhje me pyetjet tuaja ju njoftojmë që Zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e MPJD-së, Donika Gërvalla, është kthyer nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Rreth takimeve zyrtare të zhvilluara atje nuk do të mund të flasim në këtë moment”, thanë nga Ministria për Nacionalen.

Ndryshe, dje gjatë ditës u raportua se Gërvalla dështoi në vizitën e saj në ShBA, pasi nuk arriti të zhvilloj takime të rëndësishme.

Në anë tjetër, analisti i politikës, Petrit Zogaj i cili jeton në SHBA me anë të një shkrim është talluar me Gërvallën, ndërsa në shkrimin e dytë të tij, ai ka thënë më mirë që nuk është takuar me askënd Gërvalla pasi sipas tij, ajo bën dëme të mëdha kur ka takime.

“Po shoh qe ka kritika qe Gervallen s’po e takon askush jashte. Per bese kjo eshte pozitive dhe lajm i mire per Kosoven. Ajo ben deme te medhaja kur takohet me homologet e saj. Ma e favorshme per Kosoven eshte injorimi sa ma i madh per te sesa ftesat e takimet bilaterale.” – ka shkruar ai në Facebook.

Ndërkohë, për këto raportime reagoi ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e cilia me gjuhë skandaloze sulmoi gazetarët.

Ajo gazetarët i quajti mercenar të rrenës dhe mashtrimi, por nuk dha asnjë sqarim për qëndrimin në SHBA.

“O mercenarë të rrenës e mashtrimit! Gjysëm ore emision në Klan, zero informacion, zero të vërteta. Ama bash zero. Ju veç gazetarë nuk jeni!” – shkroi ajo në Facebook.

Kujtojmë se Gërvalla ishte kritikuar gjatë tërë këtij mandati për dështimet në diplomaci.

Kosova nuk ka fituar asnjë njohje që prej se ajo është në krye të diplomacisë. Gjithashtu, mandati i saj u përcoll edhe me gabime të rënda e gjuhë aspak diplomatike ndaj shteteve mike.