“Ndoshta pesë këshilltarë mjaftojnë. 35 janë si të mos jetë asnjë, ose tregojnë një lloj paaftësie fundamentale të vetë kryeministrit”, kishte deklaruar Kurti pak para zgjedhjeve më 2019 në T7, kur po fliste për numrin e këshilltarëve që një kryeministër duhet të ketë.
Por, nga pesë sa deklaronte se mjaftojnë, me ardhjen e tij në pushtet u raportua se ai ia kishte kaluar edhe Ramush Haradinajt me numrin e këshilltarëve në kohën kur ky i fundit kishte qeverisur me vendin, e i cili numëronte 35 sosh, raporton Klankosova.tv.
Sipas një raportimi të mediumit “Koha” të muajit gusht 2023, thuhej se kryeministri Albin Kurti numëronte gjithsej 38 këshilltarë.
Prej tyre, thuhej se 18 ishin këshilltarë politikë, 10 nëpunës e 10 të jashtëm, të cilët nuk paguhen nga buxheti i shtetit.
Këtë kishte provuar ta demantojë zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu. Ai thoshte se “numri total i këshilltarëve, përfshirë ata të jashtëm, është 25”.
Ndër të tjera, ai pretendonte se prej këtij numri, 8 janë të jashtëm e të cilët, gjithnjë sipas tij, nuk paguhen nga buxheti i Shtetit.
Por, sipas tij, numri 38 ka të bëjë me numrin total të stafit të emëruar nga kryeministri Kurti.
“Për informim, kabineti i Kryeministrit përbëhet nga këshilltarët politikë, nëpunësit e kabinetit dhe këshilltarët e jashtëm. Ata së bashku përbëjnë stafin e Kryeministrit. Numri 38 i raportuar mbrëmë përfaqëson numrin total të stafit të emëruar të Kryeministrit: 25 këshilltarë, 10 nëpunës, ku bëjnë pjesë zyrtarët ekzekutivë dhe administrativë, fotografi, zyrtarët e protokollit, asistentët—pra që nuk janë këshilltarë—, dhe 3 të tjerë të emëruar të kryeministrit, ku përfshihen Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur/Kryetari i delegacionit të Kosovës për bisedime për çështjen e Personave të Zhdukur, koordinatori i Sekretariatit Koordinues Ndërqeveritar Kosovë -Shqipëri, dhe koordinatorja për funksionalizimin e Fondit Sovran, të cilët kanë mandate të veçanta”, thoshte Kryeziu më 15 gusht, 2023.
Në ndërkohë, u raportua se edhe ish-ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj ishte emëruar këshilltar i jashtëm i kryeministrit Albin Kurti.
Emërimi i tij në këtë pozitë ishte bërë në kuadër të Grupit Ballkanik për Politika me mbështetjen e Qeverisë së Norvegjisë, në kuadër të kornizës “Zhvillimi i paqes, shtet-ndërtimit dhe avancimi i agjendës Evropiane”. /Klankosova.tv