Faruk Mujka, ish-kryetar i Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Mitrovicën e Jugut dhe aktualisht asamblist i kësaj partie, ka hapur një biznes të ri në këtë komunë në kohën kur minatorët e “Trepçës” po përballen me mungesë pagash për dy muaj. Pavarësisht krizës ekonomike që ka goditur punëtorët e ndërmarrjes ikonike të Kosovës, Mujka ka zgjedhur të promovojë aktivitetin e tij të ri ekonomik, “DEUTCHE ELEKTRIK”, së bashku me partnerët e tij, duke theksuar rëndësinë e sjelljes së standardeve gjermane në fushën e materialit elektrik në Kosovë. Ndërkohë, minatorët vazhdojnë protestat e tyre, duke kërkuar zgjidhje nga Qeveria për gjendjen e tyre të vështirë, shkruan Demokracia.com.
Që kur Lëvizja Vetëvendosje mori pushtetin, njerëzit e saj ngadalë kanë filluar të bëhen biznesmenë. Faruk Mujka, bashkë me një bashkëpartiak nga Mitrovica, kanë promovuar dje biznesin më të ri “DEUTCHE ELEKTRIK”. Lajmin e ka bërë të ditur Mujka, i cili ka treguar se do të jetë në ortakëri me Sokol Miftarin dhe Fidan Ademin. Ky i fundit ka qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për deputet dhe ishte parë në një fotografi me një kallashnikov në dorë. Ademi, në të kaluarën, ka qenë edhe drejtor në Komunën e Mitrovicës Jugore, ku nënkryetar ishte Faruk Mujka.
Mujka, përveç që është asamblist në Mitrovicë, është edhe kryeshef i Ndërmarrjes “Ibër Lepenci”.
“Bashkëpunimin shumëvjeçar me Fidanin dhe Sokolin nga sot e ngritëm në një nivel tjetër. Ligjërimin për nevojën që Diaspora, përveç në fushën politike, të ketë rol aktiv edhe në aspektin ekonomik, e bartëm në praktikë. Sokoli për 30 vite rresht punon si elektricist në Kiel të Gjermanisë dhe atje njihet nga të gjithë banorët si mjeshtër i klasit të parë. Themeluam kompani në Gjermani e Kosovë dhe morëm obligim që kualitetin dhe standardin gjerman nga fusha e materialit elektrik ta sjellim në Kosovë. I mbetet ndërtuesve dhe mjeshtërve të vërtetojnë cilësinë e ofruar dhe ta implementojnë në projektet e tyre për të rritur sigurinë e qytetarëve dhe të ngrisin kualitetin e shërbimeve. Pika jonë e parë shitëse ‘DEUTCHE ELEKTRIK’ gjendet në magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, te rrethrrotullimi kryesor i Vushtrrisë,” ka shkruar Mujka në rrjetin social Facebook, duke postuar edhe disa fotografi festive nga hapja e biznesit.
Hapja e biznesit të ri nga Faruk Mujka në një kohë të vështirë për minatorët e “Trepçës” ngre dilema mbi prioritetet dhe ndjeshmërinë sociale të udhëheqësve lokalë dhe atyre në pushtet. Ndërsa vetë Mujka dhe partnerët e tij theksojnë rëndësinë e investimeve ekonomike dhe përfshirjen e diasporës në zhvillimin e vendit, situata e rënduar e minatorëve të “Trepçës” pasqyron sfidat e thella ekonomike me të cilat përballen shumë qytetarë. Protestat e tyre vazhdojnë të kërkojnë vëmendjen e Qeverisë, duke bërë thirrje për veprime konkrete që do të sigurojnë të drejtat dhe mirëqenien e tyre, ndërsa zgjidhjet e qëndrueshme për këto probleme mbeten ende për t’u parë.
Qeveria e Kosovës ka reaguar sot për këtë situatë, por pa ofruar ndonjë zgjidhje për pagat. Ajo ka theksuar se ndërmarrja ka operuar me humbje dhe ka përmendur një subvencion prej 3.3 milionë eurosh nga Ministria e Ekonomisë. Përkrahjen financiare, Qeveria e ka kushtëzuar me zotimin për ulje të shpenzimeve dhe rifillim të rritjes së prodhimit. Minatorët, të cilët janë të vendosur të mos kthehen në punë pa marrë pagat, janë kundërpërgjigjur duke thënë “mjaft më”. /Demokracia.com/