Dy vëllezërit e shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës, Adem dhe Besnik Bulliqi, të cilët ishin në kërkim pasi dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘Vrasje e rëndë në tentativë’ janë arrestuar mbrëmë nga Drejtoria Rajonale në Pejë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

Përmes një komunikate për media, Policia njofton se hetuesit pas një pune intensive kanë arritur që të lokalizojnë vendndodhjen e dy të dyshuarve, të cilët dyshohet se u përfshinë në rastin e rëndë që ka ndodhur më 12 korrik në Pejë.

Sipas Policisë, pas arrestimit vëllezërit Bulliqi janë shoqëruar në stacion policor ku janë intervistuar nga organet e hetuesisë lidhur me rastin.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor dhe brenda afatit ligjor ndaj tyre pritet të parashtrohet edhe kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

Kujtojmë se Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligjin për publikimin e fotografisë dhe shënimeve tjera të personave të kërkuar, me autorizim të Prokurorisë kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për t’i arrestuar dy të dyshuarit.