Presidentja Vjosa Osmani është përballur me një incident diplomatik sot në Aeroportin e Shkupit, ku sigurimi i aeroportit ka tentuar t’ia marrë telefonin, në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare për mardhënie diplomatike, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Incidenti është konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net nga këshilltarja e Presidentes, Egnesa Vitia. Sipas saj, kur Osmani s’ka pranuar ta dorëzojë telefonin, ka pasur tentim të shtyrjes fizike ndaj saj nga ana e sigurimit dhe se është dashur ndërhyrja e Policisë së Kosovës për ta hapur rrugën.
“Ne kundërshtim me praktikat ndërkombëtare dhe Konventën e Vjenës për Marrëdhënie Diplomatike, sigurimi i Aeroportit të Shkupit ka tentuar ta marrë telefonin personal të Presidentes. Presidentja nuk ka lejuar një gjë të tillë, sepse do të ishte shkelje e rëndë. Përkundër shpjegimit të rregullave qe ekipi i Presidentes ia ka bërë të ditur zyrtarit të aeroportit, ai ka tentuar fizikisht ta shtyjë Presidenten me ç’rast është detyruar që të reagojë Policia e Kosovës për ta hapur rrugën”, ka deklaruar Vitia Reporteri.net.
Duke mos i respektuar rregullat, sipas Presidences së Kosovës, pala maqedonase e kishte marrë çantën personale të dorës së presidentes Osmani.
Por, dorëzimi i telefonit personal nuk është pranuar nga ajo.
“Kjo sjellje e zyrtarit maqedonas të aeroportit është në kundërshtim me çdo praktikë ndërkombëtare, sipas të cilave kur krerët e shtetit udhëtojnë, ata mbrohen me privilegje e imunitete diplomatike. Në kundërshtim me këto rregulla, pala maqedonase ka marrë çantën personale të dorës së presidentes. Edhe pse kjo ishte kundër rregullave, ekipi i Presidentes e ka lejuar në mënyrë që Presidentja të hyjë në aeroport, konkretisht në sallën VIP, e cila ishte rezervuar me notë verbale të Ambasadës sonë, siç është praktika për udhëtimet e krerëve të shtetit. Mirëpo, për arsye të sigurisë, në asnjë mënyrë nuk është lejuar që të dorëzohet telefoni personal”, ka deklaruar Vitia.