Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të ri amerikan, Donald Trump.
Bekim Kupina nga kabineti i Osmanit, ka thënë për Gazetën Nacionale se Presidentja ka vendosur ta dërgojë një delegacion të kabinetit të saj.
Sipas Kupinës delegacioni i kabinetit të Osmanit do të shkojnë atje së bashku me ambasadorin në ShBA, Ilir Dugollin.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka marrë ftesë nga anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara (Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve), për të marrë pjesë në inaugurimin e Presidentit të ri amerikan, Donald Trump. Megjithatë, duke u bazuar në traditën protokollare, shumica e vendeve përfaqësohen në këto ceremoni nga ambasadorët e tyre të akredituar në Ëashington D.C.”
“Duke e vlerësuar këtë ngjarje si një moment të rëndësishëm në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe SHBA-ve, Presidentja ka vendosur ta dërgojë një delegacion të kabinetit të saj, i cili, së bashku me ambasadorin në SHBA, Ilir Dugolli, do ta përfaqësojnë Kosovën në aktivitetet inauguruese të datave 19-21 janar.” – ka thënë ai.
Tutje Kupina për Nacionale ka shprehur se Osmani ka pasur rastin ta urojë personalisht presidentin Trump.
“Presidentja Osmani tashmë ka pasur rastin ta urojë personalisht Presidentin Trump gjatë një bisede të përmbatësore që zhvilluan muajin e kaluar të mbajtur në Pallatin Elysee, në Paris. Ky angazhim i vazhdueshëm reflekton përkushtimin e Kosovës për të forcuar bashkëpunimin me administratën e re amerikane dhe për të avancuar interesat e përbashkëta.” – ka thënë ai.