Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë e ka kundërshtuar aksionin e realizuar sot nga Policia dhe Qeveria e Kosovës kundër strukturave paralele.

Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së ka thënë se veprimet e sotme të qeverisë dhe policisë janë në kundërshtim me “këshillat tona më të mira”.

“Veprimet e Qeverisë së Kosovës për mbylljen e institucioneve të drejtuara nga Serbia ndikojnë direkt dhe negativisht në qytetarët e Kosovës – serbët etnikë dhe komunitetet e tjera – dhe mund të minojnë aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar komunitetit euroatlantik”, ka thënë për Express një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë.

Ky zëdhënës i ambasadës amerikane ka thënë se këto veprime e dobësojnë besimin dhe kufizojnë mundësitë e SHBA-së për të ndihmuar Kosovën për një të ardhme më të mirë.

“Këto veprime, kundër këshillave tona më të mira, dobësojnë besimin në marrëdhënie dhe kufizojnë aftësinë tonë për të ndihmuar Kosovën të sigurojë të ardhmen më të mirë dhe më të ndritshme për të gjithë njerëzit e saj. Ne po vazhdojmë të monitorojmë situatën. Ju lutemi ndiqni platformat tona online për reagime shtesë nga Ambasada e SHBA”, ka thënë zëdhënësi.