Shoqëria civile është shprehur e shqetësuar me iniciativën e LVV-së që në diasporë të organizojë takime për asistencë për plotësimin fletëvotimeve që do të dërgohen me postë nga diaspora.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile kanë bërë me dije se kjo është një përpjekje e partisë në pushtet për të manipuluar votat e diasporës.

Ata kanë vlerësuar se një veprim i tillë cenon rëndë parimin e fshehtësisë së votës, si një nga parime kryesore të procesit zgjedhor.

Njohësi i proceseve politike dhe zgjedhore Albert Krasniqi ka thënë se një veprim i tillë është i dënueshëm më Kod Penal të Republikës së Kosovës.

Votuesit jashtë vendit në këto zgjedhje kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u regjistruar dhe për të votuar, pasi afatet ishin më të zgjatura për shkak të mbajtjes së zgjedhjeve brenda afateve të rregullta. Për më tepër, ndryshimet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme kanë krijuar mundësi shtesë për votim jashtë vendit. Këto përfshijnë votimin personal në ambasadat dhe misionet diplomatike të Kosovës, dërgimin e zarfeve me fletëvotime në përfaqësitë diplomatike, dhe dërgimin e fletëvotimeve drejtpërdrejt në adresën postare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) në Kosovë”, ka thënë Krasniqi në një prononcim për gazetën Nacionale.

Sipas tij, asistenca nga partitë politike në këtë fazë të procesin përbën cenim të parimit të fshehtësisë së votës.

Duke marrë parasysh këto lehtësime të procesit, ofrimin e mundësive shtesë për votim, kohën e mjaftueshme për regjistrim dhe votim, si dhe fushatën informuese të KQZ-së, konsiderohet e panevojshme që votuesve jashtë vendit t’u ofrohet asistencë nga subjektet politike. Për më tepër, ofrimi i një asistence të tillë përbën cenim të fshehtësisë së votimit, një nga parimet themelore të zgjedhjeve, dhe është e dënueshme me burgim sipas Kodit Penal të Kosovës”, ka vlerësuar Krasniqi.

Edhe drejtori i Instituti të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, e ka dënuar veprimin e partisë në pushtet.

Ai ka treguar se është rreptësishtë e ndaluar që në mënyrë të organizuar të asistohet dikush për proces të votimit.

Ndër parimet themelore të procesi zgjedhor është edhe liria dhe fshehtësia e votës. Askush nuk ka të drejtë të pengojë ndonjë qytetar për të votuar, të detyrojë atë të votojë në një mënyrë të caktuar, të mbajë atë përgjegjës për votën, ose të kërkojë kundër dëshirës së tij/saj që të zbulojë votën e tij/saj ose arsyet për mos votim. Për më tepër është e ndaluar rreptësishtë që në mënyrë të organizuar parti politike apo individë të caktuar të organizojnë tubime ku edhe përmendet sigurimi i materialit të nevojshëm për votim. Kjo mënyre e organizimit pa dyshim se hyn në kuadër të veprimtarisë kriminale dhe është e dënuar me ligj”, ka thënë Miftaraj për gazetën Nacionale.

Me veprime të tilla, sipas tij, synohet të manipulohen votat e diasporës.

Sikurse, kjo formë e organizimit të votimeve cenon rëndë integritetin e procesit zgjedhor dhe është sinonim i manipulimit të rezultatit zgjedhor. Krejt në fund të gjitha subjektet politike, mbështetësit e tyre dhe të gjitha institucionet tjera janë të obliguara të respektojnë parimet themelore të përcaktuara në ligjin për zgjedhjet dhe të ndërmarrin të gjitha masat për të siguruar mbajtjen e zgjedhjeve të lira, të drejta dhe duke respektuar sundimin e ligjit”, ka vlerësuar Miftaraj.

Një ditë më parë, gazeta Nacionale ka raportuar se si përkrahësit e VV-së në diasporë kanë caktuar lokacione për plotësim të fletëvotimeve për qytetaret që janë regjistruar për votim me postë.

Aty tregohet se si përkrahësit e VV-së në Zvicër kanë publikuar një video, përmes së cilës u bëhet thirrje votuesve të regjistruar që të dielën me 12 janar, nga ora 10:00 deri në orën 18:00 të shkojnë në adresën “Chemin du Champ-des-Filles 19, 1228 Plan-les-Ouates”.

Në këtë video votuesve ju tregohet se çka duhet të kenë me vete.

Merre deftesën e regjistrimit dhe eja voto. Ne jemi këtu për t’iu ndihmuar rreth procesit dhe ju furnizojmë me materialin e duhur për të votu”, thuhet në këtë video.

Kjo video përfundon me mesazhin e njohur të Vetëvendosjes: “Nga çdo cep i botës ku je, hidhe votën për atdhe”.

Kjo video është shpërndarë edhe nga Yllka Kurteshi, e cila duket se është e afërt anëtarin të VV-së në KQZ, Sami Kurteshi, dhe ish-deputetit të VV-së Ismajl Kurteshi.

Këtij të fundit, në postim në profilin e saj në “Facebook”, Yllka Kurteshi i drejtohet me “Baci Ismajl Kurteshi”.

Pas raportimit të Nacionales, ka reaguar edhe KQZ-ja.

Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, përfaqësuesit e opozitës kanë kërkuar nga prokuroria që të merret me këtë rast, meqenëse, sipas tyre, po cenohet fshehtësia e votës.