Kërkimet për gjetjen e 26-vjeçarit nga Prizreni, Arban Hisari, janë duke vazhduar edhe sot.

Kërkimin e vazhduan zyrtarët e Policisë së Kosovës bashke me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, për Klankosova.tv, ka thënë se kërkimet kanë filluar në lumin “Drini I bardhë”  duke filluar në afërsi të “Urës së shenjtë” .

“Në operacionin e kërkimit përveç sektorit Rajonal të Hetimeve të Prizrenit dhe patrullave Policore nga Gjakova, me kërkesë të policisë merr pjesë e FSK me ekipin e Kërkim Shpëtimit”, ka thënë Bytyqi.

Policia e Kosovës dhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës edhe dje kishin zhvilluar një operacion të kërkim-shpëtimit për të riun. Sipas drejtorisë rajonale të policisë së Prizrenit kërkimet kanë filluar më 25 dhjetor të vitit të kaluar, ndërsa sot iu kanë bashkëngjitur njësitë përkatëse të FSK-së.

Sipas informacioneve që ka Klan Kosova, kërkimet kanë filluar nga Ura e Fshajt e deri te Ura e Rogovës e po ashtu kërkimet kanë vazhduar edhe në pjesën malore që gjenden afër Urës së Fshajt.