Gjendja shëndetësore e babait të ish-presidentit Hashim Thaçi është përmirësuar, pas kujdesit mjekësor që po merr në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Megjithatë, pas rekomandimeve të ekipit mjekësor, duke pasur parasysh shëndetin e tij dhe mundësitë e prekjes prej ndonjë virusi të përhapur, përpos familjes së ngushtë, janë ndaluar vizitat e tjera në ambientin ku po trajtohet Haxhi Thaçi.
Këtë e ka konfirmuar për Kanal 10 edhe vëllai i ish-presidentit Thaçi, Idriz Thaçi.
“Për shkak të gjendjes shëndetësore dhe përhapjes së virusëve të ndryshëm në këtë periudhë, me rekomandim të ekipit mjekësor, vizitat te babai ynë janë ndaluar. I jemi shumë mirënjohës stafit mjekësor për kujdesin dhe i falënderojmë të gjithë familjarët, miqtë dhe dashamirët për vizitat e tyre dhe interesimin rreth gjendjes shëndetësore të babës. Na duhet ta respektojmë këtë vendim që ta ruajmë gjendjen e tij, e cila është duke iu përmirësuar. I falënderojmë të gjithë për mirëkuptimin dhe do t’ju mbajmë të informuar rreth gjendjes së prindit tonë”, ka thënë vëllai i ish-presidentit Thaçi.
Babai i ish-presidentit Thaçi, Haxhi Thaçi, është 87 vjeçar. Ai disa herë ka dhënë deklarata për media, me gjendje të rënduar emocionale, ku ka folur për takimet me ish-presidentin Thaçi në burgun e Hagës.