Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar deklaratën e kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se nuk i ka vizituar ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hagë, për shkak të “formularëve të shumtë që duhet mbushur”.
Çitaku e quajti këtë deklaratë “tallje pa krip”, duke theksuar se kjo shpjegon edhe mungesën e vizitave të Kurtit në SHBA.
Ajo ka shtuar se ndoshta edhe për vizën amerikane, po i njëjti problem është “formularët”.
“Zot na ruaj! Ndoshta kjo shpjegon edhe mungesën e vizitave të tij në SHBA – ndoshta edhe për vizë amerikane është po i njëjti problem, ‘formularët’. Çfarë tallje pa krip, çfarë përbuzje dhe mungesë e plotë empatie ndaj atyre që sakrifikuan për lirinë tonë. Turp,” ka shkruar Çitaku në Facebook.
Kryeministri Kurti kishte theksuar më parë se ishte i interesuar të vizitojë ish-krerët e UÇK-së të akuzuar për krime lufte, por shtoi se nuk ishte i gatshëm të plotësonte të gjitha dokumentet dhe formularët që kërkohen për këtë qëllim.