Tashmë janë bërë katër ditë që kur Bordi i RTK-së theksoi në një komunikatë se do të merren masa ndaj përgjegjësve që publikuan “lajmin” në RTK, ku Nacionale dhe Periskopi akuzoheshin për bashkëpunim me Serbinë. Që nga atëherë ka pasur shumë reagime dënuese, por edhe sulme nga pushtetit, megjithatë jo edhe veprime konkrete nga RTK-ja, përveç themelimit të një komisioni ad-hoc.

“U.d drejtoresha ka informuar bordin që do të formojë një komision profesional për ta sqaruar situatën në detaje dhe për ta ndriçuar përgjegjësinë editoriale për këtë lëshim dhe do të merr masa rigoroze konform ligjit dhe akteve të brendshme të RTK-së”– thuhej në komunikatën e Bordit të RTK-së.

Përkundër që kanë kaluar katër ditë, RTK-ja nuk ka arritur të adresojë çështjen e përgjegjësisë brenda RTK-së për një publikim të tillë, i cili u quajt “artikull kontraverz” nga ana e Bordit.

Megjithatë, reagimet nuk janë ndalur brenda RTK-së e jashtë RTK-së. Ushtruesja e detyrës së kryeredaktores në Radiotelevizionin e Kosovës, Leonora Bërbatovci u lajmërua dje me një shkrim pas shumë reagimeve, megjithatë, nuk e tha asnjë fjalë për “fake-neësin” e lëshuar nga transmetuesi publik.

“Në sy u pamë edhe mëngjesin e së hënës. Por prej mesditës nuk u pamë më. Madje as s’u dëgjuam e lëre më që s’u shkruam fare. Të shkruara i pashë vetëm distancimet. Disa i lexova e disa të tjerë i pashë vetëm si “folloëers” të nismëtarëve” – shkroi ajo.

Bërbatovcit i reagoi një kolege e saj e RTK-së. Pranvera Munishi, redaktore në RTK, i reagoi Bërbatovcit për ftesën për debat.

“Duke te njohur mire, thelle jam e bindur qe je e vetedijshme per shkeljen profesionale qe eshte bere ate nate, prandaj une jam distancuar, pasi qe me dhjetra here si pergjegjese editoriale kam refuzuar te identifikohem me lajme te cilat i ka gatuar politika.” – ka shkruar ajo.

Gjatë ditës së djeshme, Vehbi Kajtazi, gazetar e analist, publikoi një emër të një zyrtari të AKI-së, i cili sipas tij është përfshirë në publikimin e lajmit në RTK.

Kritikat ndaj RTK-së

Pas publikimit të lajmit skandaloz, RTK-ja është kritikuar me të madhe nga organizata të huaja e vendore, nga gazetarë e analistë të cilët thonë se RTK-ja është e kapur nga pushtetit.

Organizatat joqeveritare dhe aktivistët kanë kërkuar dorëheqjen e Bordit të RTK-së pas raportimit skandaloz për mungesë të pavarësisë dhe profesionalizmit në ushtrimin e mandatit të tyre.

“Radio Televizioni i Kosovës (RTK) ka ri publikuar një informacion dezinformues me qëllim që të sulmojë mediat online Nacionale dhe Persikopi nën pretendimin që kontrollohen nga Serbia. Kjo narrativë e ushqyer ndër vite nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje ka për qëllim denigrimin e gazetarëve dhe cytjen e qytetarëve kundër tyre, gjë që përbën rrezik për sigurinë e tyre.” – thuhej në reagimin e tyre.

Gjithashtu, edhe organizata ndërkombëtare “Safe Journalist” ka reaguar ashpër pas sulmeve nga pushteti ndaj Nacionale dhe Periskopit.

“Rrjeti SafeJournalists dënon ashpër fushatën e shpifjeve të nisur nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe shpërndarjen e “lajmeve” të tilla që sulmojnë mediat tjera në Transmetuesin Publik të Kosovës RTK. I bëjmë thirrje kryeministrit Kurti që të dënojë këtë fushatë shpifëse dhe të distancohet nga këto akuza të pabaza. Për më tepër, ne inkurajojmë mediat e prekura që të ndjekin veprime ligjore kundër atyre që janë përgjegjës për ngritjen e akuzave të tilla të rënda, duke përfshirë burimet kryesore që qëndrojnë pas tyre” – thuhej në reagimin e tyre.