Ajo është e lindur dhe rritur në Tiranë, por me dekada jeton në Kosovë. E lidhur qw nga koha e studimeve, gjatë viteve 90-ta, me një student nga Prishtina, Majlinda Hajrullahu, kishte vendosur qysh herët që fatin e saj ta lidh me Kosovën.
Që nga paslufta Hajrullahu u vendos në Kosovë duke krijuar familje këtu dhe duke u angazhuar në profesionin e saj. Pas tri dekatash, angazhim në fushën e arsimit, kulturës dhe medias, Hajrullahu ka vendosur të merret me politikë, duke garuar për deputete në listën zgjedhore të PDK-së. “Jam e nderuar që në këto zgjedhje parlamentare te jem e nominuar nga Partia Demokratike e Kosovës, si kandidate për deputete, me numrin 76 në listën e saj zgjedhore”, ka shkruar Hajrullahu.
Angazhimin e saj në politikë, sic ka thënë ajo, do ta fokusojë në edukimin e mirëfilltë të brezave dhe fuqizimin e gruas.
“Me një angazhim më shumë se 3 dekada në fushën e arsimit, në Shqipëri dhe Kosovë, në fushën e mediave dhe kulturës, jam e gatshme që me përkushtimin më të sinqertë të jem zëri juaj për një edukim të mirëfilltë të brezave të rinj, për fuqizimin e rolit te gruas, dhe për një shoqëri më tolerante dhe të barabartë për të gjithë qytetarët e saj”, ka thënë Hajrullahu.
Zonja nga Tirana e “shpërngulur” në Kosovë për ta vazhduar këtu jetën e saj me bashkëshortin, vajzën, dy djemtë dhe nipat, pret mbështetjen e votuesve të PDK-së për zgjedhjet e 9 shkurtit.
“Me respektin ndaj secilit prej jush, kërkoj besimin dhe përkrahjen tuaj me 9 shkurt 2025!”, ka shkruar kandidatja për deputete e PDK-së.