Fondi i Sigurimeve Shëndetësore ka shpenzuar buxhetin një muaj para se të mbyllet viti.

Qytetarët e Kosovës që kanë nevojë për shërim jashtë vendit nuk do të mundë të mbështeten financiarisht gjatë muajit dhjetor, pasi buxheti tetëmilionësh i Fondit për Sigurime Shëndetësore tashmë është shpenzuar, shkruan Zeri.info.

Fondi ka bërë të ditur se nga janari deri në nëntor të këtij viti ka pranuar 1079 aplikacione në kuadër të Programit për Trajtim Mjekësor jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike.

Në një përgjigje për “Zërin” Fondi ka bërë të ditur se tashmë është shpenzuar buxheti i ndarë për shërim jashtë vendit.

“Sipas Draftligjit të Buxhetit për vitin 2024, për Programin për Trajtim Mjekësor jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike janë ndarë 8 milionë, ndërsa deri tani është shpenzuar 100% e shumës të buxhetit”, thuhet në një përgjigje që Fondi i ka dërguar Zeri.info.

Ndryshe, derisa Qeveria ka promovuar shërbime të reja në institucionet publike shëndetësore, buxheti për t’u trajtuar jashtë këtyre institucioneve, rrjedhimisht buxheti për Fondin e Sigurimeve Shëndetësore është rritur, nga 8 milionë sa ishte këtë vit, në 10 milionë euro për vitin 2025.