Haxhi Shala gjatë seancës ku po shqyrtohet marrëveshja për pranimin e fajësisë, ka thënë se është konsultuar me avokatin e tij dhe ka rënë dakord për këtë marrëveshje.

Shala pohoi se me avokatin i ka diskutuar kushtet e marrëveshjes për pranimin e fajësisë dhe se marrëveshja është bërë pas konsultimeve të mjaftueshme, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Po është e vërtetë. Për gjithçka jemi konsultuar me avokatin dhe jemi rënë dakord për këtë marrëveshje”, tha Shala.

Ai konfirmoi se i kupon kushtet e marrëveshjes dhe i ka lexuar në gjuhën që e kupton.

Gjykatësja Mappie Veldt-Foglia i lexoi pikat për të cilat, sipas saj, Shala ka rënë dakord në marrëveshjen për pranimin e fajësisë.

Ajo tha se i pandehuri ka pranuar se ishte pjesë e një grupi që kërkonte të nxiste dëshmitarin 1 që të mos jepte dëshmi para DhSK-së përmes premtimit për përfitim. Tha se në veçanti, anëtarët e grupit duke vepruar nën drejtimin e Shalës i shkuan dëshmitarit dhe i thanë atij që ai duhet ta tërhiqte dëshminë para DhSK-së.

Sipas saj, gjatë vizitës më 12 prill 2023, Januzi në vijim të vizitës së parë i kishe transmetuar dëshmitarit 1 një ofertë që Haxhi Shala dhe të tjerë do ta ndihmonin atë në qoftë se ai do të tërhiqte dëshminë.

Mappie Veldt-Foglia tha se para dhe pas çdo vizite në prill të 2023-ës, Shala komunikoi dhe u koordinua me anëtarët e tjerë të grupi për ndërveprimet e tyre me dëshmitarin 1.

Lidhur me këtë, Shala pohoi se kupton dhe për këtë marrëveshje ka rënë dakord.

Më pas, gjyqtarja lexoi një pjesë të aktakuzës së 10 korrikut, ku thoshte se më 5 prill 2023, Shala thirri Bahtijarin dhe ai e thirri Januzin. Pastaj, pasi u konfirmua se dëshmitari 1 ishe në shtëpi, ajo tha se Bahtijari shkoi tek shtëpia e tij ku i tha që Shala e ka kontaktuar kohëve të fundit dhe i kishte thënë që dëshmitari 1 duhet ta tërhiqte dëshminë.

Sipas gjykatëses, paragrafi 11 i aktakuzës thotë se Bahtijari u largua nga shtëpia e dëshmitarit dhe eci tek një veturë aty afër ku po e prisnin dy burra dhe një person i tretë në ulësen e shoferit.

Paragrafi 14 deri në 18 sipas saj thotë se Shala dhe Januzi mbeten në konkat dhe u lidhën përmes telefonit së paku 4 herë në mes 6 prillit dhe 9 prillit 2023. Ajo shpjegon se pak pasi kishe folur në telefon me Shalën, Januzi kishte shkuar në shtëpinë e dëshmitarit 1 duke i thënë këtij të fundit që Shala dëshiron të dijë se çfarë kishte vendosur ai që nga vizita e Bahtijarit.

Ajo vazhdoi tutje se Januzi e kishte njoftuar dëshmitarin 1 duke i thënë se Shala dhe persona të tjerë do ta ndihmojnë dëshmitarin 1 në qoftë se do ta tërhiqte dëshminë. Sipas saj, aktakuza thotë se dëshmitari 1 ka thënë se nëse atij i jepen 200 mijë euro do të arrihej ujdia.

Mappie Veldt-Foglia thotë se aktakuza tregon se dëshmitari 1 nuk konfirmoi apo mohoi se ishte dëshmitar.

Sipas gjyqtares, të gjitha këto pika janë pjesë e aktakuzës së 10 korrikut 2024, të cilat janë përfshirë në marrëveshjen për pranimin e fajësisë mes Shalës dhe ZPS-së.

Më pas, ajo lexoi paragrafin 5 të marrëveshjes, ku tha se Prokuroria dhe Shala janë pajtuar që këta paragrafë janë të vërtetë dhe të saktë.

“Haxhi Shala dhe Prokuroria pajtohen që nëse Prokuroria do të bënte paraqitjen e provave, atëherë faktet dhe akuzat në paragrafët të cilët sapo ua lexova 8, 9, 11, 14-18 dhe 24 do të vërtetoheshin jashtë dyshimit të arsyeshëm dhe se janë të vërtetë dhe të saktë dhe nuk kundërshtohen nga Haxhi Shala”, tha Veldt-Foglia.

Si rrjedhojë, Shala konfirmoi marrëveshjen e tij me ZPS-në sipas deklaratës që dha gjykatësja.

Ajo tha se sipas marrëveshjes, Shala pranon akuzën për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrës zyrtare, duke marrë pjesë në grup se paku midis 5 prillit dhe 12 prillit 2023 e cila është e ndëshkueshme sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK) dhe konkretisht me nenet 17, 21, 28, 35 dhe 401 (2) (5) dhe nenet 15 (2) dhe 16 (3) të Ligjit për DhSK-në.

Ajo gjithashtu tha se Shala ka pranuar fajësinë edhe për akuzën e frikësimit gjatë procedurave penale me anë të premtimit për dhuratë ose çfarëdo forme tjetër të fitimit.