Lëvizja Vetëvendosje i ka prezantuar publikisht pritjet për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Bazuar me një seri postimesh në rrjete sociale nga ministra, deputetë e zyrtarë të VV-së, partia e Albin Kurtit po pret që në zgjedhjet e ardhshme, t’i fitojë 500 mijë vota.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shkruar se 500 mijë vota është pragu për pavarësi nga Lista Serbe dhe elita e vjetër e korruptuar.
“500 mijë vota është pragu për pavarësi nga Lista serbe e elita e vjetër e korruptuar. Është fuqia për të vazhduar reformën tonë të thellë përpara. VVazhdojmë garën për 500k vota”, ka shkruar ajo.
Të njëjtën pritje e ka edhe ‘komisarja’ e partisë në pushtet, Dejona Mihali.
“Ftojmë 500 mijë zemra flakë të kuqe për të ecur para. 500k ❤ Lëvizja VETËVENDOSJE!”, ka shkruar Mihali.
Zëdhënësi i Vetëvendosjes, Arlind Manxhuka, ka shkruar se duhen 500 mijë vota për t’i vazhduar reformat.
“VETËVENDOSJE! për të vazhduar me reformat e nisura thelbësore, që të vazhdojë të jetë e mosvarme nga Klubi i Stërvjetëruar e Lista Serbe, për të vazhduar fuqishëm e për të çuar përpara projektet e nisura dhe ato të reja i hynë garës për 500 mijë vota. VETËVENDOSJE! 500K votues”, ka shkruar ai.
Kurse, Elvis Hoxha, ka publikuar një fotografi ku ka kërkuar 500 mijë ‘ndërgjegje’.
“Ndaj këtij postimi, ka reaguar analisti Lirim Mehmetaj. Qyre ky pasardhesi ideologjik i Enver Hoxhes, po don shtet totalitar. Ky me ndergjegje te deleguar kerkon “500 mije ndergjegje”. Vec ne Kosove ndodhe kjo. Anetari i partise ne pushtet del me thirrje te hapur per diktature edhe e thote krenarisht. Po pse jo, ti qe Kosoven e trajton si eksperiment, pse jo. Ti qe ne Kosove jeton periodikisht dhe vec per perfitim financiar, pse jo. Kosovari i shkrete paguan taksa qe me marre rroge ky shipeci i paskrupullt”, ka shkruar Mehmetaj.
Për këtë kërkesë të VV-së që të marrin 500 mijë vota, ka shkruar opinionisti Shenoll Muharremi.
“Po kërkojnë 500,000 vota, edhe pse ende nuk kanë prezantuar asnjë program apo projekt për çfarë i duan këto vota. I kërkojnë votat automatikisht, sikur ne kemi borxh ndaj tyre. Kjo nuk është racionale, e as e mençur. Por çfarë do të sjellë kjo “strategji” kur të zgjohemi më 10 shkurt dhe të shohim që jo vetëm që nuk i kanë fituar 500,000 vota, por mund të jenë tkurrur në 300,000 vota? Kjo do ta kthente LVV-në nga një fituese natyrale në një humbëse morale të zgjedhjeve. Ndërkohë, opozita, e cila pritet të rritet, edhe pse nuk do të dalë e para (e ndarë kështu se së bashku po), do të duket si fituese. LDK dhe PDK do të rriten, ndoshta me një mesatare prej 50%, njëra më shumë e tjetra më pak, varësisht nga baza e tyre e vitit 2021”, ka shkruar ai.
Zgjedhjet mbahen më 9 shkurt të vitit 2025.
Vetëvendosje ka publikuar edhe listën me kandidatë për deputetë, ku nuk ka fort ndryshime nga ajo e kaluara.
Listës i janë shtuar analistë si Nezir Kraki e Gazmir Raci, por aty nuk figuron ministri Liburn Aliu.
Në anën tjetër, pikërisht në këtë kohë, Vetëvendosje ka nisur viktimizimin, duke e akuzuar Prokurorinë Speciale për ftesën ndaj kryeministrit Kurti lidhur me dallaveret me rezervën shtetërore.