Merita Miftari, gazetare në Gazetën Express, ka fituar çmimin për raportimin e përgjegjshëm gjinor për të drejtat pronësore të grave, në ceremoninë e ndarjes së “Çmimeve vjetore të Gazetarisë 2024”.

Gazetarja Merita Miftari është vlerësuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me partnerët e tij.

Në fjalën e saj, para të pranishmëve gazetarja Miftari falëndëroi jurinë për vlerësimin dhe uroi që ky hulumtim të jetë frymëzim për gratë dhe  vajzat që ndodhen në situatën e përjashtimit nga trashëgimia.

Gazetarja Miftari në hulumtimin e titulluar, “Beteja ligjore e katër motrave për trashëgimi, padisin vëllezërit që shitën pronën e përbashkët, njëra kërcënohet – rasti po u zvarritet”, vë në pah faktin e padrejtësive që hasin gratë në Kosovë kur bëhet fjalë për të drejtat pronësore.  Ky proces ka qenë i gjatë dhe i vështirë, pasi njëra nga to është përballuar me kërcënime dhe pengesa nga vëllëzërit. Me pengesa edhe nga institucionet që e kanë zvarritur çështjen.

Historia e motrave pasqyron luftën e grave për të drejtat e tyre pronësore, ku fatkeqësisht në vendin tonë vazhdojnë të hasin vështirësi të shumta për të siguruar trashëgiminë dhe të drejtat e barabarta në shoqëri. Këto motra janë përballë me konflikt familjar dhe pasoja të rënda emocionale. Njëra nga motrat  e dëmtuara që u kanos nga vëllai i saj për shkak se “kërkoi hise” jep edhe mesazhin e fortë për familjet kosovare se sot prindërit duhet t’u lënë trashëgimi si djemve ashtu edhe vajzave.