Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar se sulmi ndaj kanalit kryesor të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok para një jave kishte për qëllim të shkaktonte pasoja të mëdha dhe të dëmtonte funksionimin e institucioneve të Kosovës.

Maqedonci bëri të ditur se dyshimet e para për sulmin drejtohen ndaj grupeve kriminale të lidhura me kryeterroristin, Milan Radoiçiq dhe strukturat e tij në veri të Kosovës.

“Dyshimet e para shkojë pikërisht te ata që gjatë gjithë kohës kanë organizuar dhe zhvilluar akte të tillë, që lidhet me grupin e Radojçiq dhe mbetjet e tyre në veri. Duhet të presim përfundimin e hetimeve, mirëpo të gjitha pistat, hetimet dërgojnë të këto grupet terroriste”.

Së fundmi, Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka intensifikuar monitorimin dhe patrullimin e infrastrukturës kritike në vend.

Ministri i Mbrojtjes, theksoi se këto masa janë ndërmarrë si pjesë e përpjekjeve për të garantuar sigurinë e infrastrukturës kritike të vendit, veçanërisht pas sulmit të fundit ndaj kanalit të Ibër-Lepencit, në Zubin Potok.

Ai shtoi se patrullimet përfshijnë të gjitha aspektet kritike të infrastrukturës për të mbështetur Policinë dhe KFOR-in, të cilët janë të angazhuar në ruajtjen e sigurisë në veri të vendit.

“Fokusi ka qenë, ruajtja në kuptimin e monitorimit dhe patrullimit të infrastrukturës kritike dhe në veçanti duke u lidhur edhe me sulmin ka qenë të infrastruktura që ndërlidhet me ujërat dhe kanalin e Ibër-Lepencit. Më saktësisht njësitet e FSK-së pas një analizë që kemi bërë më shtabin e përgjithshme janë orientuar që të kryejnë detyrat e patrullimit dhe pika të vëzhgimit përgjatë kanalit Ibër-lepenc nga Obiliqi deri në Mitrovicë. Si dhe të gjitha pendat e liqeneve artificiale. Por edhe patrullime të tjera”.

“Të gjitha ato që lidhen me aspektin e energjisë elektrike dhe me aspektin e furnizimit me ujë… më qëllim që t’i mundësojmë KFOR-it dhe Policisë që të jenë të përqendruar në katër komunat e vendit dhe në anën tjetër, ne të krijomë një ambient më të sigurt në pjesë tjetër të Kosovës”, ka thënë Maqedonci në Dukagjin.

I pyetur nëse dronët Bayraktar po përdoren për monitorimet e infrastrukturës kritike, Maqedonci ka thënë se përdorin dronët Bayraktar në mënyrë të rregullt, duke shtuar se jo gjithmonë mund të shpallen për publikun detajet e operacioneve që realizohen me këta dronë.

“Ne operojmë më Bayraktar në baza të rregullta… Në këtë aspekt vëzhgimin me Bayraktar e bëjmë bazuar në planet dhe urdhrat që lëshohen nga shtabi i përgjithshëm. Normalisht që jo gjithherë për publikun mund të ndahet për publikun ajo që realizojmë dhe zhvillojmë më Bayraktar. Për këtë koordinohemi në vazhdimësi edhe me komandën e KFOR-it”, ka thënë Maqedonci.