Pas deklarimeve kundërthënëse të zv/kryeministrit dhe ministrit të brendshëm serb Ivica Daçiq sot, për dyshime të ngritura rreth identitetit të të vrarit në Lloznicë dje, i cili (Daçic) thotë se kishte dyshime për identitetin e Faton Hajrizit, meqë shteti serb nuk ka dokumente të tij dhe se as Gjermania nuk po u përgjigjet në këtë drejtim, avokati injohur kosovar Arianit Koci, ka shprehur gatishmërinë publike dhe humanitare, që nëse autorizohet nga familja Hajrizi dhe shteti i Kosovës, do të nisej për Serbi, për ta zbardhur çështjen, të vërtetën, identitetin dhe mbi të gjitha për të kërkuar kthimin e kufomës në Kosovë, gjegjësisht tek familja. Deklarimin Koci e bëri në një intervistë ekskluzive me Fitim Behlulin – kryeredaktor i ‘RADIO 1’, tani kur çështja sërish ka marrë drejtim konklavitjeje, si pasojë e mosbashkëpunimit institucional të shtetit serb.

Edhe Ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu sot tha se informacionet janë kundërthënëse dhe nuk mund ta dijmë me siguri që Faton Hajrizi është vrarë. Haxhiu tha se nevojitet hetim për ta zbardhur të vërtetën.

‘Pa e paragjykuar të kaluarën e  Fatonit, për ta ndërprerë këtë ping-pomg që po ndodhë, unë në formën më njerëzore e humanitare, nëse më autorizon familja Hajrizi dhe shteti im, jam gati të nisem për Serbi për të ndihmuar çështjen, respektivisht të vërtetën, në identifikim, në zbardhje të informacioneve të qëndrueshme e mbi të gjitha, pas verifikimit,  në kthimin e kufomës së të ndjerit tek familja në Kosovë.’-tha Koci në ‘RADIO 1’.