Kërkesa e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ndaj KQZ-së për hapësira të reja për votim jashtë vendit po shihet si e kundërligjshme në shumë aspekte.

Letra e kryediplomates Donika Gërvalla për kryetarin e KQZ-së, që e përmban një kërkesë të tillë, edhe në përmbajte është në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Në aneksin e letrës, e cila është publikuar dje nga gazeta Nacionale, janë përmendur në detaje hapësirat e propozuara nga ministria.

Aty ofrohen fotografi dhe informacione tjera për hapësirat e propozuara.

Nga përmbajta e aneksit të letrës shihet se MPJD-ja ka propozuar që në Nju Jork të ShBA-së si qendër e votimit të shndërrohet edhe një xhami.

Fotografi të xhamisë në fjalë.

Një propozim i tillë është në kundërshtim me Rregulloren Zgjedhore për Themelimin dhe Menaxhimin e Qendrave të Votimit.

Në nenit 2, paragrafi 4.3, të kësaj rregullore thuhet se vendndodhja e qendrave të votimit nuk duhet të jetë në objekte fetare.

Ndaj këtyre propozimeve ka reaguar edhe shoqëria civile.

Eugen Cakolli nga DnV, koalicioni i organizatave joqeveritare që monitorin zgjedhjet në Kosovë, ka vlerësuar se propozimet e MPJD-së janë paarsyeshme.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës po vazhdon ndërhyrjet në proces zgjedhor, përmes përpjekjeve të kundërligjshme që të shtojë hapësira të reja të votimit, ndonëse afati ligjor është për caktimin e tyre është përmbyllur para tre muajsh. Kjo është tendencë për t’a krijuar një diskurs përçarës, duke nxitur përplasje gjoja se diasporës po i pamundësohet votimi. Kjo e fundit është e pavërtetë, andaj edhe duhet të refuzohet nga diaspora jonë. Për më tepër, edhe po të ishte e ligjshme, disa prej propozimeve për shtimin e rreth 40 hapësirave të reja, janë edhe të paarsyeshme, e disa edhe të palejuara”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, propozimet e MPJD-së për hapësira të reja janë të panevojshme dhe jo ligjore.

Për shembull, janë propozuar hapësira të reja në: Nju Jork – në Qendrën Kulturore Islame Shqiptare, e cila është në fakt xhami, e që është e ndaluar të themelohet si qendër votimi; Iowa – në dy hapësira shtesë brenda objektit të konsullatës, ndonëse aktualisht një votues i vetëm është regjistruar aty; Uashington – në një hapësirë vetëm gjysmë ore (ecje) larg qendrës së tanishme, e ku janë regjistruar aktualisht vetëm rreth 20 votues, ndonëse aty mund të aplikojnë deri 1 mijë sosh; Milano – në një hapësirë, sërish vetëm gjysmë ore (ecje) larg qendrës së tanishme, e ku janë regjistruar aktualisht vetëm rreth 50 votues, ndonëse aty mund të aplikojnë deri 1 mijë sosh; Stokholm – në një hapësirë afër qendrës aktuale, ku janë regjistruar vetëm 79 votues, ndonëse aty mund të aplikojnë deri 1 mijë sosh; Hagë – në hapësira të ngjitura ose anekse të qendrës aktuale të votimit, e cila veçse është relativisht e madhe, e ku deri më tani janë regjistruar vetëm 26 votues.”, ka shkruar ai.

Çka përmban letra e MPJD-së për KQZ-në?

Gazeta Nacionale dje ka publikuar përmbajtjen e letrës se Ministres së Punëve të Jashtme, Dinika Gërvalla, për kryetarin e KQZ-së, Kreshnik Radoniqi.

Pasi KQZ-ja ia ka refuzuar memorandumin, me të cilin kërkonte kompetenca në organizimin e zgjedhjeve në diasporë, ministrja e Gërvallës ka bërë një hap tjetër.

Ndonëse procesi regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës është duke ecur me hapa të kënaqshëm, kryediplomatja Gërvalla i ka shkruar një letër kryetarit të KQZ-së, Kreshnik Radoniqit.

Gërvalla i kërkon kryetarit të KQZ-së miratimin e hapësirave të misioneve diplomatike dhe posteve konsullore për organizimin e votimit jashtë Kosovë.

Në ato vende ku hapësirat e misionve tona janë të vogla për të ofruar mundësinë e votimit për të gjithë qytetarët e asaj zone me të drejtë vote, është e nevojshme që urgjentisht të shqyrtojmë hapësirat shtesë për votim jashtë vendit, pra përfshirjen në qendrat e votimit të hapësirave të shfrytëzuara nga përfaqësitë tona diplomatike dhe konsullore, në përputhje me standardet më të mira“, thuhet në letrën që Gërvalla ia ka nisur Radoniqit më 27 nëntor.

Më tej, në shkresë Gërvalla sulmon ashpër Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për “disa hapa” që kanë shkelur “detyrimet ligjore në raport me konsultimin e obligueshëm dhe bashkërendimin e aktiviteteve përgatitore dhe vendimarrëse me MPJD-në.

Kjo letër e ministres Gërvalla është në shkelje të plotë të Kushtetutës së Kosovës (nenit 139) dhe e Ligjit për Zgjedhje të Përgjithshme.

Letra është në kundërshtim edhe të vendimeve të institucioneve të drejtësisë, pasi që çështja të cilën kjo ministri e ka çuar në KQZ është shqyrtuar nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, Gjykata Supreme, Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit.

Të gjitha këto institucione i kanë dhënë të drejtë KQZ-së për vendimin e 29 gushtit 2024.

Kjo letër vije dy javë pasi KQZ-ja ia ka refuzuar Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës një Memorandum të paprecedentë me të cilin, ky dikaster qeveritar, kërkonte kompetenca në organizimin e zgjedhjeve në diasporë.