Ministri i Bujqësisë, Faton Peci, ka organizuar sonte një darkë në një hotel të Prishtinës. Atë e ka quajtur “Darka e Lamës”, sikur darka tradicionale e ideuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova dhe e vazhduar nga presidentët që e kishin pasuar. Një darkë të tillë, dy javë më parë e ka shtruar edhe presidentja Vjosa Osmani.
“Darka e Lamës” është bërë “mollë sherri” mes presidentes Vjosa Osmani dhe ish-njeriut të saj që tash po i servilohet Kurtit, ministrit Faton Peci që e kishte afër në themelimin e partisë “Guxo”.
Natën e sotme në një hotel të Prishtinës, ministri Faton Peci ka shtruar Darkën e Lamës, ku mes shumë njerëzve, i pranishëm ishte edhe kryeministri Albin Kurti.
Kjo ngjarje ka ngjallur reagime të shumta nga Zyra e Presidentes, pasi të dy këshilltarë të saj më radhë kanë reaguar nëpër rrjete sociale, duke treguar se “Darka e Lamës” është mbajtur më 26 tetor.
“Darka e Lamës 2024, nën patronatin e Presidentes Osmani, sikurse edhe çdo vit tjetër”, ka shkruar Bekim Kupina, këshilltar i Osmanit.

Ngjashëm ka reaguar edhe Egnesa Vitia, po ashtu këshilltare e Vjosa Osmanit.

Në darken e organizuar nga Peci ishte i pranishëm edhe kryeministri Albin Kurti, i cili në fjalën e tij theksoi se ajo simbolizon unitetin dhe begatinë e kombit, përmes mesazhit të bashkimit rreth bukës dhe traditës.
Në sofrën e përbashkët të begatisë përçojmë mesazhin e unitetit, bukës dhe zemrës. Në këtë dolli të përbashkët falënderoj fermerët tanë për rritjen e prodhimit vendor. Ne do të vazhdojmë mbështetjen, sepse sukseset i kemi të përbashkëta. Sivjet kemi sipërfaqe më të madhe të tokës dhe rritjen e burimeve të produktit vendor janë rritur për 50 për qind; për tokat e mbjella, bukën e sofrës e gëzojmë vetëm me produkte vendore,”, ka thënë Kurti.