Prokuroria Speciale e Kosovës me anë të një komunikate për media ka bërë të ditur se për sulmin në Ibër-Lepenc deri tash janë shoqëruar në polici dhjetë (10) persona. Nga dhjetë të shoqëruarit si të dyshuar, vetëm njëri nga ta gjendet nën masën e paraburgimit.
“Me vendim të prokurorit dy prej tyre, me inicialet D.V. dhe D.M. nga komuniteti serb, janë ndaluar ku për personin D.V. është parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit dhe masa e paraburgimit është caktuar nga Gjykata për 1 muaj, kurse i dyshuari D.M nga Prokuroria është liruar në procedurë të rregullt” – thuhet në komunikatë.
Në komunikatë gjithashtu përfshihet edhe, se me 1 dhjetor 2024 me vendim te Prokurorit është ndaluar edhe i dyshuari J.V nga komuniteti serb, i cili ishte në kërkim lidhur me këtë vepër penale. Në shtëpinë e të njëjtit është kryer kontroll, ku janë sekuestruar një numër i konsiderueshëm i armëve dhe pajisjeve tjera.
“Veprimet hetimore për këtë rast janë duke vazhduar.” – thuhet ndër të tjera aty.
Çka tha Sveçla në konferencë ditën kur u arrestuan tetë persona?
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, në konferencë të jashtëzakonshme pas shpërthimit në Ibër-Lepenc, ka bërë të ditur se në bashkëpunim me AKI-në dhe pas hetimeve intensive, kanë realizuar sot në mëngjes aksion në dhjetë lokacione, duke arrestuar tetë persona të dyshuar.
“Ky sulm terrorist s’është një sulm i rëndomte, i organizuar nga grupe dhe organizata profesioniste për kryerjen e sulmeve terroriste që shkaktojnë dëme të mëdha të infrastrukturës publike” – ka thënë ministri Sveçla.
“Pas hetimeve intenzive, sot në orët e mëngjesit në 10 lokacione kemi realizuar kontrolle, ku janë arrestuar 8 persona të dyshuar në stacion policor si të dyshuar për përfshirje në veprime kriminale dhe terroriste. Kontrolli është realizuar në bashkëpunim me organet e drejtësisë dhe AKI-në.” – ka thënë ai ndër të tjera.
ShBA: Është shumë herët për të thënë kush është përgjegjës për sulmin në Zubin Potok
Ambasadori i Amerikës në Kosovë, Jeff Hovenier, ka folur pas takimit që pati kori diplomatik me kryeminsitrin Kurti.
Hovenier ka thënë se takimi ishte ftuar nga kryeministri Kurti dhe ndërlidhet me informimin e ambasadorëve për sulmin e tmerrshëm në Ibër-Lepenc.
Ai përsëriti qëndrimin se Amerika dënon këtë sulm të tmerrshëm, por tha se është shumë herët për të dhënë konstatime se kush qëndron prapa këtij sulmi.
“Kurti ftoi korin diplomatik në një takim dhe bisedë për sulmin e tmerrshëm. Në emër të Amerikës, mund të them se e dënojmë sulmin e tmerrshëm në infrastrukturën kritike të Kosovës. Amerika përkrah hetim të plotë, i japim përkrahje autoriteteve të Kosovës për hetim, autorët duhet të dalin para drejtësisë”, tha Hovenier, raporton Nacionale.
“Në këtë pikë, Amerika nuk është në pozitë të thotë kush është prapa sulmit, duhet hetim i kujdesshëm, ne ofrojmë përkrahjen për autoritetet e Kosovës, një hetim kredibil dhe autorët të gjenden. Nuk mund të themi kush është përgjegjës, dhe nuk jemi në pozitë të përjashtojmë asnjë grup, është shumë herët. Nuk e dimë ende”, tha më tutje ambasadori amerikan në Kosovë.
Hovenier përsëriti qëndrimin e njëjtë kur u pyet se cilat mund të jenë masat ndaj Serbisë.
“E thashë, nuk jemi në pikën për të thënë kush është përgjegjës, dhe nuk mund të përjashtojmë asnjë grup që është përgjegjës, ne do të punojmë me autoritet lokale për ta hetuar këtë rast. Ajo që duam të shohim është përgjegjësi për këtë sulm”,tha Hovenier.
Një fjalë të shkurtër e tha edhe shefi i BE-së në Kosovë.
“Ne kishim një takim me kryeministrin Kurti, kori ndërkombëtar këtu, dhe Kurti pati mundësinë të na njjoftojë për zhvillimet në mbrëmjen e së premtes. Ne kemi bërë një reagim publik dhe nuk do ta përsërisë”, tha ai.