Njëkohësisht nga Policia e Kosovës, njësia për trajtimin e materieve eksplozive janë duke u kryer hetime intensive dhe ekzaminime në vendin e ngjarjes, nga të cilat është konstatuar se shpërthimi/detonimi ka qenë sulm i qëllimshëm, akt kriminal terrorist i kryer nga person/a të dyshuar.
Bashkërendimi i veprimeve në terren, është duke vazhduar nga institucionet e Kosovës, e po ashtu lidhur me rastin janë njoftuar edhe institucionet ndërkombëtare të sigurisë.
Policia e Kosovës, ka rritur masat e sigurisë në lokacionet sensitive dhe do të vazhdojë të punojë intensivisht drejt zbardhjes dhe ndriçimit të rastit, për të cilin nga hetimet fillestare ekziston dyshimi i bazuar se sulmi ka qenë i qëllimshëm dhe i kryer me eksploziv nga individ apo grup kriminal, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale.
Policia e Kosovës do të përdorë të gjitha aftësitë dhe asistencën nga komuniteti ndërkombëtar për të hetuar provat dhe për të gjetur personat përgjegjës për dëmtimin e furnizimit me ujë të vendit, të furnizimit të termocentraleve e të Zubin Potokut, e që mund të dëmtojë qytetarët.
Së bashku, do të përpiqemi për të gjetur individët përgjegjës për këtë rast e edhe për sulmet tjera ndaj stacionit të policisë në Zveçan dhe ndërtesës së komunës.
Nëse qytetarët kanë ndonjë informacion apo dinë diçka, iu lutemi të lajmërojnë në stacionin më të afërt të Policisë ose në mënyrë anonime duke përdorur numrat kontaktues: 192, 080019999, 038 550 999 dhe në [email protected]