Kryeministri Albin Kurti në mbledhjen e sotme të Qeverisë ka njoftuar se ka nënshkruar “një vendim të rëndësishëm” para se të fillonte mbledhjen për themelimin e Komisionin Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Kosovë.

Kurti tha se ky vendim vjen në të njëjtën ditë në Ditën e Forcës.

“Këtë ditë të rëndësishme për ushtrinë tonë po e shënojmë me një vendim të rëndësishëm që porsa e nënshkrova para se të vij në mbledhje dhe me një hap të domosdoshëm, besojmë, për të garantuar zhvillimin e qëndrueshëm të saj. Do të themelojmë Komisionin Ndërministror për qëllim të vlerësimit dhe nisjes së procedurave dhe negociatave lidhur me hapjen e fabrikës për prodhimin e municionit dhe për laborator mbi dizajnimin e fluturakeve pa pilot në Republikën e Kosovës. Një ushtri që për një kohë kaq të shkurtër është armatosur kaq shumë si kjo e jona ka nevojë për ta siguruar e garantuar operacionalitetin e plotë dhe qëndrueshmërinë tërësore. Andaj, me sot hedhim hapat tonë të parë për ngritjen e industrisë ushtarake”.

Kurti tha se Qeveria e tij “ka treguar se mbrojtja ka qenë ndër prioritetet tona kryesore”.

“Kjo është dëshmuar në vazhdimësi si me numrin e ushtarëve që është dyfishuar, si me buxhetin për Ministrinë e Mbrojtjes që është trefishuar si me trajnimet jashtë vendit të oficerëve dhe ushtarakëve tonë që është katërfishuar, si me investime në armatim që janë shumëfishuar”.

Ai tha se më shumë mbi këtë temë do të flasë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në një konferencë pas mbledhjes së Qeverisë.