Dëshmitari Halil Çadraku tha të martën në Hagë se gjatë gjithë veprimtarisë së tij në sektorin e Zbulim-Kundërzbulimit (ZKZ), asnjëherë nuk ka marrë ndonjë urdhër nga Kadri Veseli.

Dëshmitari tha se kjo nuk kishte ndodhur as ndaj anëtarëve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, për çka tha se nëse do të ndodhte, do të ndihej krenar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Kurrë gjatë krejt veprimtarisë time nga 8 janari e deri në atë kohë kur e kam lënë këtë detyrë më 20 prill të vitit 2000, unë kurrë nuk kam pas ndonjë urdhër nga Kadri Veseli apo ndonjë urdhër nga sektori përkatës i Shtabit të Përgjithshëm. Në dokumentet e mia do të isha shumë krenar po të kisha ndonjë urdhër apo detyrë nga ata, por kurrë nuk kam pas një diçka të tillë. Gjithmonë kam vepruar me ato opinionet e mia me çka kam kuptuar dhe cila rrugë është më e mira”, tha ai.

Përpara kësaj, Çadraku tha se që nga nëntori i 1998-ës deri në mars të ’99-ës nuk e kishte parë asnjëherë Kadri Veselin.

“Nga 16 nëntori e deri në mars, unë nuk më kujtohet dhe nuk e kam parë Kadri Veselin”, tha Çadraku, duke shtuar se nuk ka pasur asnjë kontakt me të.