Faton Peci e ka pranuar skandalin e granteve në vlerë qindra mijëra euro për këshilltarin e tij dhe vëllain e deputetes Fitore Pacolli.
Ministria i Bujqësisë i ka pezulluar grantet bujqësore Naim Huruglicën, këshilltarin e tij dhe Blerim Pacollin, vëllain e deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli.
Vendimi për pezullimin e dy granteve është nxjerrë të premten, raporton portali Periskopi.
Skandali i granteve bujqësore shpërtheu javën e kaluar.
Mirëpo, ministri Peci e ka mohuar të ketë pasur favorizime në procesin e dhënies së granteve.
Peci është zotuar se me të si ministër nuk favorizohet dhe nuk diskriminohet askush.
“Kjo do të thotë se as nuk është favorizu dhe nuk mund ta diskriminojmë dhe t’i themi se ju jeni me Vetëvendosjen”, ka thënë ai të enjten e javës së kaluar, gjatë një interviste në televizionin Kanal10.
Në një përpjekje tjetër shfajësimi, Peci ka thënë se nuk është e jashtëligjshme që të fitojnë grante edhe ata që e kanë votuar Vetëvendosjen.