Faton Peci, ministër i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, është thelluar me skandale rreth përfituesve të granteve. Pas një sërë hulumtimesh të Periskopit në këtë Ministri, dyshohet për një skemë të organizuar rreth këtyre granteve.

Të thirrur në Udhëzime Administrative, e në nene me pika të cilat NUK EKZISTOJNË fare, dyshohet se është krijuar një Komision ilegal/paralel për të përzgjedhur se kush fiton grante, e kush jo.

Në themelimin e këtij Komisioni – të referuar si ‘Grupi vlerësues’ – është i përfshirë zv.Drejtori i DMPZHR’së, Arban Hoxha.

Periskopi në bazë të e-mail(it) të siguruar, është gjetur edhe mënyra se si zv.Drejtori Arban Hoxha, obligon të gjitha grupet tjera vlerësuese të aplikacioneve, t’ia dorëzojnë dosjet me letrën e informimit për miratimin e granteve, grupit të themeluar nga ai.

Në këtë e-mail thuhet ndër të tjera; Në Letër-informimi për miratimin e projektit, Grupi vlerësues do t’u bjerë me laps kimik investimeve të cilat refuzohen. Investimi e refuzuara do të miratohen nga zv.Drejtori i DMPZHR, i cili do të vendosë nënshkrimin e tij anash çdo investimi të refuzuar.

Të gjitha këto vendime të zv.Drejtorit Hoxha, obligohen që të respektohen në terësi.

Skandali i gjithë kësaj është se, ky Grup vlerësues që bën vlerësimim përfundimtar u thirr në një Udhëzim Administrativ i cili nuk ekziston fare.

Ja çka thuhet në e-mail:

Ky Grup do të shqyrtoj të gjitha letrat e informimit për miratimin e projektit dhe duke u bazuar në dispozitat e lartcekura dhe në vlerësimin e tyre profesional ka për obligim që t’i refuzoj ato investime që janë në kundërshtim me UA 14/2023 neni 7, pikat 1.10 dhe 1.11.

Nëse hyjmë në këtë Udhëzim Administrativ 14/2023 të MBPZHR’së dhe shkojmë tek neni 7, aty nuk ekzistojnë pikat 1.10 dhe 1.11 për të cilat është thirrur që të veprojë ky Grup vlerësues.

Ndryshe, ky Grup vlerësues i themeluar nga Hoxha ka këtë përbërje:

1. Zekeria Loku
2. Majlinda Osmani
3. Luarza Muhadri

Vlen të theksohet se zv.Drejtori i DMPZHR, Arban Hoxha, i cili është emëruar nga Peci, del të jetë një militant i kahmotshëm i Lëvizjes Vetëvendosje.