Dhomat e Specializuara në Hagë më 5 nëntor 2020 bënë publike aktakuzën kundër ish-krerëve të UÇK-së Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Veprat që rëndojnë ndaj tyre kanë të bëjnë “me krime lufte, ndalimit të paligjshëm ose arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe krimet kundër njerëzimit të burgosjes, akteve të tjera çnjerëzore, torturës, vrasjes së paligjshme, zhdukjes me forcë të personave dhe përndjekjes”, të cilat sipas Dhomave të Specializuara, janë kryer midis marsit 1998 dhe shtatorit të vitit 1999.

Dhomat e Specializuara pretendojnë se për këto krime, Thaçi dhe të tjerët “mbajnë përgjegjësi penale si individë në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale për krimet e paraqitura në aktakuzë, që u kryen në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë dhe në kuadrin e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave të dyshuar si kundërshtarë të UÇK-së”, shkruan KP.

Të pandehurit, thuhet tutje në aktakuzë “si eprorë, janë përgjegjës për krimet e kryera nga vartësit e tyre. Ata dinin ose dinin arsyet se krimet e paraqitura në këtë aktakuzë, do të kryheshin ose ishin kryer nga vartësit e tyre dhe dështuan të ndërmarrin veprimet e duhura që të parandalonin krimet e tilla ose të ndëshkonin kryerësit e këtyre krimeve”.

Po më 5 nëntor 2020, Thaçi, Veseli, dhe Selimi u transferuan në qendrën e paraburgimit të Dhomave të Specializuara me seli në Hagë, ndërsa Krasniqi u transferua një ditë më parë, më 4 nëntor. Ndërsa procesi gjyqësor ndaj Thaçit dhe të tjerëve nisi më 3 prill 2023.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi para trupit gjykues u deklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës, me të cilën i ngarkon Zyra e Prokurorit të Specializuar e që lidhen me krime lufte.