Komuna e Prishtinës rreth pesë muaj më parë hapi ofertat për tenderin madhor prej 10 milionë eurosh, “Programi për Ofrimin e Shërbimeve të Energjisë për Uljen e Shpenzimeve Financiare në Komunën e Prishtinës” (SIPA UA 06 2021). Projekti synon uljen e shpenzimeve të energjisë elektrike përmes instalimit të ndriçuesve efikas në energji, duke përfshirë shtatë kompani konkurruese. Megjithatë, vlerësimi i ofertave ka ngecur qysh prej hapjes së tyre më 10 qershor 2024, duke shkelur afatet ligjore dhe duke lënë tenderin në pritje pa asnjë pengesë ligjore apo ankesë, shkruan Demokracia.com.

Deri tani nuk ka asnjë vendim për fituesin e tenderit ose për anulimin e ofertave si të papërgjegjshme.

Afati ligjor për vlerësimin e ofertave në raste të zakonshme është deri në 30 ditë. Në rrethana të jashtëzakonshme mund të zgjasë deri në 50 ditë. Deri sa kanë kaluar tashmë 170 ditë pa një vendim, ky tender ka vendosur një precedent të paprecedent në prokurimet publike të Kosovës, ku asnjë veprim nuk është ndërmarrë për ndonjë nga opsionet – të shpallet fituesi apo të refuzohen të gjitha ofertat për mospërmbushje të kritereve. Burimet brenda komunës sugjerojnë se zvarritja mund të lidhet me faktin se ofertat nuk janë të “pranueshme” për pritjet e komunës, shkruan Demokracia.com.

Demokracia.com ka kërkuar sqarime nga zyra e prokurimit të Komunës së Prishtinës mbi arsyet e kësaj vonese, duke pyetur: “Pse ende nuk është bërë vlerësimi i ofertave për tenderin “Programi për Ofrimin e Shërbimeve të Energjisë për Uljen e Shpenzimeve Financiare në Komunën e Prishtinës” nga qershori deri tani?”. Komuna nuk ka dhënë përgjigje.

Rregullorja për Prokurimin Publik, konkretisht neni 40 i kapitullit “Ekzaminimi, Vlerësimi dhe Krahasimi i Tenderëve”, parashikon qartë se vlerësimi duhet të përfundojë brenda 30 ditësh nga hapja e ofertave, përveçse në raste komplekse të arsyetuara. Në këtë rast, përtej shkeljes së këtij afati, Komuna e Prishtinës nuk ka dhënë asnjë shpjegim për vonesën.

Tenderi ka qenë i hapur deri më 30 prill 2024 dhe në dosje shihet se janë vendosur një sërë kushtesh që duhet të plotësohen, sidomos për nga numri i madh i certifikatave. Dy herë ka bërë korrigjime të gabimeve vetë Komuna e Prishtinës, ndërsa tenderi për disa javë ka qenë i pezulluar për shkak të ankesave se aty janë futur kritere diskriminuese. Por, komuna e Përparim Ramës i ka hapur ofertat dhe tenderi është në vlerësim maratonik.

Ofertuesit dhe çmimet

Kompania “Electrica Power Engineering” nga Tiranë ka ofertuar në vlerë 12106.40 euro të poentuar. Kjo kompani që nuk është shumë e njohur është në pronësi të Nevila Toto, Florian Latifit dhe Dhurata Demirlikës.

“H& B Consulting shpk” nga Prishtina ka vendosur çmim 15079.60 euro. Kjo kompani është në pronësi të Gazmend Muratit dhe është themeluar në vitin 2004. Aktivitet kryesor të biznesit, kompania i ka “aktivitetet e arkitekturës”, ndërsa aktivitet sekondar “aktivitetet e inxhinierisë dhe këshillimit teknik”. Kjo kompani ka marrë kohëpaskohe edhe tenderë nga institucionet publike.

“Monting shpk” nga Prishtina ka vendosur çmimin 13001.80 euro. Kompania është në pronësi të Enver, Sami e Avdi Ahmetit dhe Mustafa Brahimit. Kompania është tenderuese shumë e madhe dhe merr shumë tenderë në KEDS, KOSTT e KEK, por edhe nga institucionet e tjera.

Konsorciumi “LCE shpk”; “Javna Razsvetljava d.d Branch in Kosova” ka vendosur çmimin 9204.20 euro. E para është një kompani nga Kosova, ndërsa e dyta është sllovene që e ka edhe degën në Kosovë.

Konsorciumi “Selmans Network shpk”; “NT Proton” kanë vendosur çmimin 10650.57 euro. E para është një kompani nga Kosova, e cila merr tenderë në prokurimet publike, sidomos në Prishtinë. Po ashtu, edhe e dyta është një kompani nga Prishtina.

Konsorciumi “FULI INŽENIRING”; “GREGORIČ ELEKTROMEHANIKA doo Dega në Kosovë” kanë vendosur një çmim 7970.40 euro. E para është kompani nga Suhareka. E dyta është nga Sllovenia, ndërsa është regjistruar në Kosovë si degë e shoqërisë së huaj më 31 maj 2024.

Limitproject shpk”; “Cemdag Aydinlatma Sanayve Ticaret” kanë vendosur një çmim 51594.55 euro. Kompania e parë është nga Prishtina me pronar Lulzim Zara dhe është mjaft prezente në prokurimet publike, sidomos në dy vitet e fundit. Kompania e dytë është një kompani turke, e cila merret me ndriçimin e hapësirave publike dhe ka marrë disa tenderë atje.

Pra, në këtë tender është përdorur procedura me poentim të çmimit. Një nga format më të shpeshta të keqpërdorimeve është përdorimi i kësaj procedure, ku autoriteti kontraktues “nuk e di” sasinë e artikujve dhe vendosë sasinë “një” për secilin artikull. Pastaj përmes poentimit të çmimit është vendosur për fituesin e kontratës. Pra, komuna e Përparim Ramës nuk ka dalë fare në terren për të identifikuar nevojat e veta, por vetëm ka futur të gjithë artikujt që duhen për mirëmbajtjen e ndriçimit, shkruan Demokracia.com.

Janë mbi 90 artikuj që kompanitë kanë vendosur çmime të ndryshme dhe Komuna e Prishtinës do t’i porosisë artikuj sipas nevoje, ndërsa kontrata ndalet kur të arrihet vlera 10 milionë euro.

Procedura e poentimit të çmimit shpeshherë u jep mundësi operatorëve ekonomikë që të vendosin çmime të larta në artikujt që ata mendojnë se do të porositen dhe çmime jonormalisht të ulëta në artikujt që ata mendojnë se nuk do të porositen. Në këtë mënyrë edhe pse çmimi i poentuar i tenderit mund të jetë shumë i ulët, operatori ekonomik prapë arrin profitin.

Megjithatë, te ky tender ofruesi i shërbimeve është i obliguar ta bëjë edhe mirëmbajtjen për punimet dhe shërbimet në afatin garantues prej 10 viteve.

Komuna e Prishtinës do të ketë çmim maksimal prej 1,000,000.00 euro për një vit, me kohëzgjatje sipas planit të pagesës deri në 10 vite.

Në rast të ngritjes së energjisë elektrike, çmimi i pagesës së energjisë do të rikalkulohet konform rritjes.

Në kohën sa ka qenë tenderi i hapur, kompanitë kanë pasur mundësi që para se të dorëzojnë ofertat e tyre, të parashtrojnë pyetje për komunën lidhur me kriteret. Dhjetëra pyetje për sqarime i janë drejtuar komunës, deri sa i është kërkuar që edhe të përmirësojë disa prej tyre, pasi sipas kompanive po favorizoheshin një ose dy operatorë ekonomikë. Një kompani kishte ushtruar ankesë, por pretendimet i kishte hedhur poshtë komuna, duke mos i shoshitur fare, pasi kishte konsideruar se ankesa nuk është bërë më kohë. Njëra prej tyre i ishte drejtuar Organit Shqyrtues të Prokurimit – OSHP, duke kërkuar nga ky organ që të detyrojë komunën të rregullojë, siç thonë ata, kriteret e kundërligjshme ose favorizuese. Por, OSHP-ja nuk ia kishte marrë në konsideratë asnjë kërkesë, duke konsideruar se komuna nuk e kishte shqyrtuar më të drejtë ankesën e tyre, pasi kishte qenë jashtë afatit. /Demokracia.com/