Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi thotë se janë “të paktën tre deputetë të tjerë” të LVV-së që janë afër t’i bashkohen partisë më të vjetër në vend.

Ai tha në Frontal në T7 se shembullin e deputetes Drita Millaku mund ta ndjekin edhe disa të tjerë.

“Ka interesim edhe prej deputetëve të tjerë, por nuk ka finalizim”, tha Gashi, që u shpreh me besim se finalizimi do të vijë.

Ai nuk pranoi të përmend emra, pasi tha se kjo do t’i rrezikonte ata.

“Është e padrejtë prej meje të përmend emra sepse mund të jetë fatale për karrierat e tyre politike, prandaj nuk do të merrem me emra, por janë të paktën tre deputetë që janë afër LDK-së”.

Gashi tha ata mund të jenë në listën e kandidatëve të LDK-së për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas tij, “Vetëvendosja ndjehet e stresuar dhe e acaruar për dy arsye”.

“E para sepse deputetë të saj, pra deputetë të Vetëvendosjes nuk po pranojnë t’i nënshtrohen diktatit të personave të paautorizuar dhe diktatit të Albin Kurtit dhe po kalojnë në LDK, dhe qytetarë të Kosovës, sidomos ata 90 mijë votuesit e LDK-së që në vitin 2021 votuan për Vetëvendosjen dhe grupacionin e saj politik e kanë kuptuar që është zgjedhje e gabuar dhe po e gjejnë vetveten gjithnjë e më tepër në Lidhjen Demorkatike të Kosovës”, tha Gashi.

Ai tha se një pjesë e konsiderueshme e votuesve që i ikën LDK-së në zgjedhjet e fundit parlamentare, janë kthyer “nëpër struktura” të partisë.

“Kanë marrë pjesë në procesin e brendshëm zgjedhor të LDK-së dhe në zgjedhjet e fundit lokale kanë votuar për LDK-në”, tha Gashi.

I pyetur nëse presidentja Vjosa Osmani mund të kthehet në LDK, Gash tha se “kjo është pyetje që duhet t’i bëhet asaj”. Kujtoi se ajo “ka qenë një figurë e rëndësishme e LDK-së”.