Deputetët e përjashtuar të opozitës janë rikthyer sërish në Kuvendin e Shqipërisë, për të përsëritur skenarin e dy javëve më parë të përplasjes me forcat e Gardës.
Flamur Noka, Dash Sula, Albana Vokshi dhe Asllan Dogjani ishin sërish në krye të përballjeve me Gardën e cila edhe njëherë kishte rritur praninë e saj në dyert e Kuvendit, të përforcuar me një gardh metalik.
Fyerje dhe shtyrje ka pasur në drejtim të Gardës, e cila u cilësua nga deputetët opozitarë si në shërbim të regjimit të Ramës.
Opozita ka deklaruar se nuk do të heqë dorë nga mosbindja civile, teksa dy ditë më parë bllokoi për 3 orë me radhë 6 akse kryesore të vendit, shkruan A2Cnn.