Rrjeti i Organizatave Joqeveritare AVONET shpreh zhgënjim të thellë dhe kritikon ashpër Komunën e Drenasit për neglizhencën dhe mungesën e transparencës në trajtimin e kërkesës sonë për anulimin e konkursit RN00015051 për Koordinator të Cilësisë dhe Sigurisë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF). Ky është konkursi i dytë në sektorin e shëndetësisë në Drenas që rezulton me shkelje të qarta ligjore, duke krijuar një precedent shqetësues të kundërligjshmërisë.

Kërkesa e z. Lorik Krasniqi zëvendës drejtor në AVONET për anulimin e konkursit pasoi një ankesë të qytetarëve, të cilët na kontaktuan për të raportuar parregullsi në kriteret e shpallura për këtë pozitë. Hulumtimi ynë ka identifikuar qartësisht se ky konkurs përmban kritere të kundërligjshme, duke lejuar aplikimin e kandidatëve me kualifikime të papërshtatshme për pozita që kërkojnë ekspertizë profesionale dhe arsimim universitar.

Kjo mospërputhje bie në kundërshtim me Ligjin për Zyrtarët Publikë, Rregulloren për Burimet Njerëzore dhe Udhëzimin Administrativ për konkursin në sektorin publik, duke minuar meritokracinë dhe drejtësinë në procesin e rekrutimit.

Megjithëse më 21 tetor i drejtuam një kërkesë zyrtare Kryetarit të Komunës së Drenasit, z. Ramiz Lladrovci, autoritetet komunale kanë vonuar përgjigjen dhe kanë neglizhuar zgjidhjen e kësaj çështjeje. Në përgjigjen e tyre të fundit, Komuna përfshiu një aktvendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, i cili refuzon kërkesën për vendosjen e masës së sigurisë. Ky vendim, sidoqoftë, është çështje procedurale e ndryshme nga shqyrtimi meritor i rastit.

Gjykata ka theksuar se nuk është shprehur mbi meritat e rastit kryesor, por vetëm ka vlerësuar se vendosja e masës së sigurisë nuk plotësonte kriteret ligjore në mënyrë kumulative, për faktin se pala paditëse nuk kishte interes të drejtpërdrejt në këtë konkurs. Kjo përgjigje procedurale nuk i përgjigjet çështjes kryesore të ligjshmërisë dhe meritokracisë së konkursit RN00015051. Ky është konkursi i dytë që AVONET monitoron për sektorin e shëndetësisë në Komunën e Drenasit dhe që përfshin kundërligjshmëri të qarta, duke vendosur një precedent shqetësues për institucionin publik.

Duke injoruar udhëzimet e qarta ligjore, Komuna e Drenasit dëmton besimin publik dhe krijon një imazh të një institucioni që toleron dhe promovon shkeljen e ligjit. AVONET i bën thirrje publike Komunës së Drenasit që të ndalë menjëherë praktikat e rekrutimeve të paligjshme, të anulojë këtë konkurs të pabazuar në meritokraci dhe të rishpallë pozitat duke përfshirë kritere të qarta dhe të ligjshme, që përfaqësojnë drejtësinë dhe barazinë. Ky precedent i dytë në kundërshtim me ligjin është dëshmi se në Komunën e Drenasit nuk po zbatohet sundimi i ligjit dhe integriteti në proceset e rekrutimit, duke dëmtuar rëndë institucionet publike dhe interesat e qytetarëve.

AVONET mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e meritokracisë dhe do të vazhdojë monitorimin e institucioneve publike për të siguruar llogaridhënie dhe transparencë në proceset e rekrutimit. Me respekt, Zyra për Informim Rrjeti i OJQ-ve AVONET.