Kandidati për kryeministër i PDK’së, Bedri Hamza, pasi ka marrë idetë dhe sugjerimet e qytetarëve nëpër komunat e Kosovës, punëtorinë e fundit për hartimin e programit qeverisës e ka zhvilluar me mërgatën në Cyrih të Zvicrës.

Hamza ka thënë se dëshiron ta përfshijë mërgatën në qeverisje me ide dhe sugjerime konkrete të cilat do të ndihmojnë që ta bëjnë Kosovën më të mirë.

“Kam ardhë në Cyrih për ta bërë një punëtori bashkë me juve. Si Kryeministër i ardhshëm, për të ju dëgjuar se çka mundem unë të bëjë për diasporën. Diaspora nuk është vetëm për të votuar dhe për të dërguar para në Kosovë. Prandaj, unë do ta bëjë një program bashkë me juve si ta përfshijmë diasporën në qeverisje. Po dua me pa se çka është mirë në Zvicër që do të kishit mund ta bënit në Kosovë”, ka thënë ai.

Pjesëmarrësit e kësaj punëtorie propozuan që të themelohet një qendër për integrimin e bizneseve të huaja në Kosovë dhe të mërgatës, t’u mundësohet të rinjve nga mërgata të kryejnë praktikë në Kosovë, të krijohet një bazë e sigurimit familjar me vlerë 150 euro në muaj, të bëhet digjitalizimi i shkollave, të rinjtë të aftësohen për t’i zotëruar ‘soft skills’, si dhe të ngrihet vetëdija për barazi gjinore që ndër të tjera u garanton grave të drejtën në trashëgimi.

Hamza premtoi se si bartës i listës për zgjedhjet nacionale, do të përfshijë kandidatë të mjaftueshëm prej mërgatës për të garuar për zgjedhjet e ardhshme.

“Sepse e dua prezencën, zërin e deputetëve të diasporës në Kuvendin e Kosovës edhe në institucionet e Kosovës”, ka thënë ai.

(1) Facebook