Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar padinë e gazetarit Ridvan Berishës kundër Radio Televizionit të Kosovës (RTK), duke anuluar kështu vendimin e kësaj të fundit, përmes të cilit paditësit i është shqiptuar masa disiplinore “Vërejtje e fundit me shkrim”.

“Aprovohet në tërësi e si e themeltë kërkesëpadia e paditësit R.B, nga Prishtina, ashtu që anulohet si joligjor vendimi…, i datës 12.04.2021, e nxjerrë nga e paditura Radio Televizioni i Kosovës, me seli në Prishtinë, përmes të cilit paditësit i është shqiptuar masa disiplinore “Vërejtje e fundit me shkrim”, thuhet në vendimin e gjykatës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, në vendim thuhet se me rastin e shqiptimi të masës disiplinore ndaj punëmarrësit, punëdhënësi duhet të respektojë në tërësi legjislacionin në fuqi.

“Gjykata vlerëson së është obligim ligjor i çdo punëdhënësi që me rastin e shqiptimi të masës disiplinore punëmarrësit, të respektojë në tërësi legjislacionin në fuqi (në rastin konkret Ligjin e Punës) si dhe kontratën e punës e jo të veprohet bazuar në dëshirën apo vullnetin e një individi apo grup individësh”, ka konstatuar Themelorja.

Fillimisht, në vendim thuhet se gazetari Berisha, përmes përfaqësuesit të tij kishte parashtruar padi në gjykatë, duke kërkuar që të aprovohet padia në tërësi e përmes të cilit aprovim të anulohet si joligjore “Vërejtje e fundit me shkrim”.

Ndërkaq, RTK përmes përfaqësuesit të saj ka dhënë përgjigje në padi si dhe gjatë shqyrtimeve gjyqësorë ka sqaruar se vendimi për shqiptimin e masës disiplinore “Vërejtje e fundit me shkrim”, i ka të bashkangjitura edhe provat.

Po ashtu, RTK ka kundërshtuar pretendimet e Berishës, lidhur me atë se masa “Vërejtje e fundit me shkrim”, është masë e lehtë pasi që sipas rregullores së RTK-së kjo masë është masa e rëndë disiplinore e cila shqiptohet për shkelje të rënda të detyrave të punës.

Gjykata e ka gjetur si të pabazuar pretendimin e RTK-së së padia është paraqitur jashtë afatit kohorë, pasi që sipas gjykatës afati për paraqitjen e padisë ka filluar të rrjedhë prej datës 28 prill 2021, datë kjo deri në të cilën pala ka pasur të drejtë të paraqesë ankesë brenda RTK-së.

Gjykata ndër të tjera ka gjetur se masa disiplinore e shqiptuar ndaj Berishës është tërësisht jo proporcionale me shkeljet e pretenduara pasi që me aktin e brendshëm të RTK-së parashihen masa tjetra para se të shqiptohet masa vërejtje e fundit.

Po ashtu, gjykata ka gjetur se RTK me rastin e shqiptimit të masës disiplinore vërejtje e fundit. ndaj Berishës, vetëm ka përshkrim të shkelje të pretenduara duke mos e arsyetuar në asnjë pikë së në çfarë mënyre ka ardhur deri të konstatimi i shkeljeve të pretenduara.

Ky vendim nga Gjykata Themelore e Prishtinës është marrë më 14 tetor 2024, në të cilin është paraparë e drejta e ankesës për palët e pakënaqura në afat prej 7 ditësh.

Ndryshe, në padinë e paraqitur më 31 maj 2021 nga Ridvan Berisha thuhet se me vendimin e Komisionit Disiplinorë të RTK-së, ishte shpallur përgjegjës për shkelje të rëndë disiplinore duke iu shqiptuar masa disiplinore, vërejtje e fundit me shkrim.

Gjithnjë sipas padisë, ndaj këtij vendimi të RTK-së, Berisha kishte parashtruar ankesë por se komisioni nuk kishte vendosur mbi ankesën dhe kishte heshtur.

Në padi thuhet se vendimi i të paditurës (RTK) është nxjerrë në shkelje të dispozitave të procedurës disiplinore për faktin se Berishës nuk i është dorëzuar ftesa për në seancë dhe se nuk i është dorëzuar as fletëparaqitje për fillimin e procedurës disiplinore.

Po ashtu, sipas padisë, Komisioni që ka shqiptuar vërejtjen disiplinore nuk ka qenë në përbërje të rregullt, për faktin se në seancë nuk ka marrë pjesë anëtari i komisionit në përbërje prej kryetarit të komisionit, Liridon Dalipi dhe dy anëtarëve Albert Ademi dhe Zana Sejdiu.

Prandaj, mbi këto paditësi Berisha ka kërkuar që të anulohet vendimi si jo ligjorë i të paditurës RTK-së dhe të detyrohet që na afat prej 7 ditësh ti mundësoj realizimin e të gjitha të drejtave nga marrëdhënia e punës dhe detyrat e punës së Redaktorit Përgjegjës të Programit RTK/RTK-3, TV/Kryeredaktor/Programi informativ/ Udhëheqës  programit informativ.